Premtimet për Ujë në Novobërdë

Pretendentët për të marrë drejtimin e Komunës së Novobërdës kanë dhënë zotimet e tyre lidhur me një ndër problemet më të përhapura në këtë komunë.

Megjithë ankesat e kandidatëve për buxhetin e limituar në investime kapitale të kësaj komune ata dhanë data konkrete kur Novobërda do të jetë tërësisht e mbuluar nga rrjeti i ujësjellësit.

Kryetari aktual dhe kandidati i Listës Serbe, Svetislav Ivanoviq, premtoi se ujin do ta sjellë brenda periudhës dy veçare.

“E di dhe jam i sigurtë që me qytetarët e Novobërdës kemi gjetë zgjidhje adekuate. Problemi me rrymë ka ekzistuar për një kohë të gjatë, shpresoj që ky problem do të zgjidhet së shpejti. Ne kemi 7 ujësjellës. Besoj se për 1 deri 2 vite do të kemi të gjithë territorin të mbuluar me ujësjellës publik”, tha Ivanoviq.

Ndërkaq Ramush Mehmeti nga Aleanca Kosova e Re këtë periudhë e zvogëloi në disa muaj.

“Prej fillimit deri në fund të majit do të starton projekti që menaxhohet nga Hidromorava. Borxhet do ti paguajmë bashkë me Hidromoravën me buxhetin e komunës pjesërisht. 31 maj 2018 do të ketë ujë krejt Novobërda”, premtoi Mehmeti.

Avdullah Gashi u zotua për furnizim me ujë me një datë domethënëse për komunën.

“Qytetarët janë të Kosovës, edhe pse jemi pak votues, investimet do të na vijnë nga qeveria që të kemi ujë. Më 24 qershor 2018 nëse Avdullah Gashi është në pushtet, gjithë banorët do të kenë ujë”, tha Gashi.