Ilustrim

Në Novobërdë festohej me armë, Policia arreston të dyshuarin dhe i sekuestron një kallashnikov e pistoletë

Policia e Kosovës raporton se ka pranuar informacion se në fund të muajit korrik në një aheng familjar në fshatin Makresh, komuna e Novobërdës ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Policia thotë se njësitet e hetimeve të Stacionit Policor Novobërdë, me urdhër të prokurorit të shtetit ka kryer kontrolle në shtëpinë dhe objektet përcjellës të të dyshuarit B. B. 29 vjeçar.

Në shtëpinë e 29 vjeçarit gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar si dëshmi materiale për gjykatë një pistoletë dhe, armë automatike AK47.

“Gjatë kontrollit, janë gjetur dhe konfiskuar si dëshmi materiale për gjykatë një (1) pistoletë e kalibrit 9 mm, një (1) armë automatike AK47 si dhe pesëmbëdhjetë (15) copë gëzhoja të shkrepura. I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor Novobërdë ku është intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës”- thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të ngritët kallëzim penal për veprat penale “Përdorim i armës” dhe ,,Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’ dhe se rasti do të procedohet në Prokurorinë Themelore.

Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve për mos përdorim të armëve gjatë këtyre evenimenteve, pasi sipas Policisë, në të kaluarën, ka pasur raste kur përdorimi i armëve në këso raste ka sjellë pasoja tragjike.