Foto Ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policia demanton LVV në Prizren: Nuk kemi intervistuar askënd

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prizren, po pretendon që disa persona janë intervistuar nga Policia e Kosovës për grumbullime të palejueshme në afërsi të qendrave të votimit.

LVV në një konferencë për media tha se, personat që kanë krijuar grumbullime janë persona të PDK-së, të cilët njihen edhe për financimin e kësaj të fundit.

“Në lagjen Kurilla dhe 2 Korriku ka pasur grumbullime të personave të PDK, edhe familje që njihen për financimin e partisë kundërshtare. Disa prej tyre Policia i ka intervistuar”, ka thënë anëtari i VV-së, Visar Shehu.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaban Osmanollaj e ka mohuar që policia ka intervistuar dikë në Prizren.

“Jo nuk është intervistuar ose shoqëruar në Polici askush në këto dy lokacione që ju po i përmendni. Ne kemi marrë raportet nga policët e terrenit, ata kanë shpërndarë grumbullimet por nuk kanë shoqëruar askënd në Polici. Gjendja deri më tash është shumë e qetë në Prizren dhe nuk ka deri më tash asnjë raportim për parregullsi”, ka thënë ai për Kallxo.com.

Vetëvendosje dhe PDK në Prizren janë në balotazh.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor në Prizren, kandidati i LVV-së Mytaher Haskuka ka marrë 40,41% të votave, kurse Shaqir Totaj nga PDK-ja ka siguruar 31,36%.