Pacolli para gjakovarëve: Dy vitet e fundit e kemi prishur imazhin tonë

 

Koalicioni NISMA – AKR – PD, kanë mbajtur tubim elektoral në Gjakovë.

Behgjet Pacolli, tha se ai ndihet krenar për të rinjtë e Gjakovës.

“Çka t’ju them, edhe mua edhe Partisë së Drejtësisë na mbetët të ju themi të dilni të votoni. Unë jam njeri i punës dhe unë gjithmonë jam krenu kur e kam kry punën, mua më vjen vështirë të ju premtoj. Ekzistencën time në biznes pak a shumë e kam filluar në Gjakovë, me njerëzit e mirë, me inxhinier të mirë, me projekte të ndryshme. Unë jam dëshmitar i saj ku kanë ardhë njerëz prej Pejës, Deçanit, Rahovecit duke ardhë me punu në Gjakovë”, tha Pacolli.

“Koha që ka kaluar mbi 15 vite nuk ka sjellë asgjë për Gjakovën, mua më vjen keq ta them këtë, por do të jetë mund tepër i madh me u hap ato fabrika që kanë punu në Gjakovë. Unë di të krijoj punë, unë di të krijoj veprimtari ekonomike, unë personalisht kam hapur 15 mijë vende të punës në Kosovë, kjo është fakt”, tha Pacolli para qytetarëve të Gjakovës.

Ai tutje ka thënë se “Ferid Aganin e njoh dhe s`di qysh po ngarkohet për vepër penale me disa stenda ku e di çka, unë këtu po ju them që Ferid Agani është njeri i pastër”.

Pacolli ka thënë se “Kosova nuk mundet me ecë përpara pa perëndimin e sidomos pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në dy vitet e fundit e kemi prish imazhin tonë sepse jemi paraqitur kryefortë. E shifni kur flitet për autostradën e Dukagjinit, jam shumë i lumtur që ndërtohet një rrugë e shpejtë por jo një autostradë që është paraparë të kushtojë 1 miliard e 200 milionë. Do të doja 400 milionë të investohej në atë autostradë, dhe ato 800 milionë që mbesin t`i ndërtojmë 20 spitale, 20 shkolla, një infrastrukturë moderne e gjithashtu të ndërtohet edhe rruga Gjakovë-Shkodër”, tha ai.

Ndërsa, kandidati për deputet nga ky koalicion Valdrin Lluka, tha se “Gjakova meriton më mirë, qytetarët e ndershëm meritojnë më shumë. Gjithë këto vite pak është bërë për këtë qytet”.

Lluka tha se ai është në Gjakovë për të fituar besimin e qytetarëve.

“Kemi siguruar financim për ndryshimin e gypave të ujësjellësit, kemi renovuar shumë shkolla ndër to edhe shkolla e heroit tonë Yll Morina. Sot s’dua të flasë për fabrikat që nuk u hapën pas luftës, as për ndërtime pa leje, por dua të flasë për të ardhmen, ku fabrikat punojnë e të rinjtë punësohen, andaj na duhet forca”, tha ai.

Lluka premtoi se do të punësojnë të rinjtë, e ta zhvillojmë industrinë dhe bizneset vendore.

“Sot fëmijët tanë po marrin diploma, por nuk po punësohen, universitetet private nuk u monitoruan asnjëherë, po mbyllen drejtime të ndryshme të fakulteteve. Me AKR-në në qeverisje do të krijojmë institutin kombëtar për shkencë e teknologji, do ta krijojmë fondin për bursa”, tha Lluka.

Sipas tij “Kosovarët edhe sot sillen nëpër rrugët e Evropës për të kërkuar e gjetur ilaq, andaj reforma jonë në shëndetësi do të ketë shtim të mjekëve dhe mjeteve të punës. Kjo nuk është Gjakova që e deshën dëshmorët, Gjakova dikur kishte industri, inxhinier, doktorë e mjekë të mirë, pra të bashkohemi bashkë që të fitojmë me 6 tetor”, tha ai.