Sërish tensione në Kuvendin e Shqipërisë – VIDEO

Seanca e së enjtes e Kuvendit të Shqipërisë u karakterizua me tensione.

Deputetët opozitarë hodhën tymuese dhe vendosën karrige pranë foltores në përpjekje për ta bllokuar seancën, teksa u dëgjuan edhe shpërthime.

Pushteti në Shqipëri, megjithatë miratoi ligje dhe ndryshime ligjore gjatë kësaj seance.

Opozita shqiptare kërkon që të formohen disa komisione hetimore për korrupsion kurse socialistes deklarojnë se duhet ligj i ri mbi komisionet hetimore, sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla në fillim të seancës, veprimet e opozitës i quajti “rrugë të paligjshmërisë”.

Fatkeqësisht opozita vazhdon në rrugën e paligjshmërisë por fati i një njeriu nuk mund të jetë fati i shqiptarëve, shqiptarët duan votimin e buxhetit dhe investime për rritjen e pagave dhe shërbime më cilësore. Nuk mund ta merrni peng Kuvendin”- deklaroi Lindita Nikolla në fillimin e seancës.

Pas fjalës hapëse të kryetares Nikolla u dëgjua edhe një shpërthim brenda sallës së Kuvendit.

Kryetarja Nikolla, pas shpërthimit përjashtoi nga seanca deputetin e Partisë Demokartike Asllan Dogjani.

Pas përjashtimit të Dogjanit u dëgjuan përsëri shpërthime.

Gjatë seancës u votua ligji për Buxhetin e Vitit 2024. Tre amendamente të propozuara për këtë ligj nuk u miratuan.

Seanca e Kuvendit të Shqipërisë zgjati 7 minuta e gjysmë.