Shqipëri, deputeti Shehaj: Po punoj për një alternativë të re politike, kam nisur takimet

Deputeti Agron Shehaj, i cili është larguar së fundmi edhe nga grupimi i demokratëve që udhëhiqen nga ish-kryeministri Berisha, tha se ka nisur punën për një forcë të re politike. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se ka nisur komunikimin me qytetarët, për ndërtimin e asaj që e cilësoi një “alternativë e vërtetë, e ndershme dhe e pakorruptuar”, për vendin.

Zoti Shehaj tha se vendimin për t’u larguar nga PD-ja ia kishte bërë të ditur zotit Berisha në muajin qershor dhe se ishte nxitur nga mungesa e vullnetit për hapjen e partisë.

Kritikët e kanë akuzuar zotin Shehaj për qëndrime jo të qarta lidhur me disa zhvillime që kanë prekur të djathtën shqiptare, që nga bashkëpunimi me zotin Berisha edhe pse ai ishte shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara, si dhe heshtja e tij mbi rezultatin e dobët zgjedhor të opozitës në dy gara lokale zgjedhore.

Zoti Shehaj tha se kishte shpresuar për ndryshim në PD, ndryshim që sipas tij nuk erdhi. “Shoh që të gjithë kritikojnë, por unë mendoj që gjëja më e rëndësishme është veprimi. Unë i ftoj të më gjykojnë mbi faktet dhe jo mbi çfarë thonë të tjerët”.

Zëri i Amerikës: Zoti Shehaj, Kuvendi i Shqipërisë prej disa kohësh është jo funksional për shkak të protestave të deputetëve demokratë dhe kryesisht atyre deputetëve që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha, si kryetar të PD-së, të cilët kanë paralajmëruar së fundmi edhe një fushatë të mosbindjes civile. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë aksion politik të opozitës?

Agron Shehaj: Unë nuk kam qenë pjesë e vendimmarrjes për këtë aksion politik, por mund të them që gjëja më e rëndësishme, pavarësisht formës që zgjidhet, për të gjykuar çdo aksion politik, ajo që është më e rëndësishme është që të gjykojmë arsyet pse është ndërmarrë ky aksion politik. Opozitës po i mohohet për të ngritur komisionet hetimore, kjo është një e drejtë e parashikuar nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe është absolutisht një shkelje për të cilën opozita ka të drejtë të luftojë, pastaj format mbeten për t’u diskutuar. Siç thashë unë nuk kam qenë pjesë e kësaj vendimmarrje dhe nuk dua të gjykoj formën, por ajo që mua më intereson më shumë, është arsyeja që bëhet kjo protestë, apo përse është zgjedhur të protestohet.

Zëri i Amerikës: Megjithatë forma është ajo që është. A është kjo forma e duhur, pra me tymuese në Parlament, duke i vënë zjarrin karrigeve, apo çfarë paralajmërohet më tej që është mosbindja civile?

Agron Shehaj: Nuk kam qenë pjesë e vendimmarrjes dhe nuk di nëse janë diskutuar forma të tjera proteste për të arritur në ngritjen e komisioneve hetimore. Do kisha preferuar ndonjë formë tjetër, por unë siç e thashë nuk kam qenë pjesë e mbledhjes dhe nuk kam patur mundësi ta diskutoj. Do kisha preferuar një formë tjetër.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, ju mund ta bëni një vlerësim, ju përfaqësoni opozitën në parlament…

Agron Shehaj: Të gjykosh opozitën në një situatë kaq komplekse siç ndodhet opozita dhe Shqipëria në këtë moment vetëm nga mënyra si protestohet, flas gjithmonë për komisionet hetimore, do të ishte reduktive, besoj. Opozita e Shqipërisë është sigurisht në gjendje shumë të rendë, është në gjendje shumë të rëndë dhe kjo është arsyeja pse unë kam marrë vendimin për t’u larguar nga grupi i PD-së, i shumicës brenda PD-së. Disa thonë që arsyeja është sepse mazhoranca ka mbyllur çdo hapësirë, si në rastin konkret, për opozitën, nga ana tjetër, ka disa që thonë, se arsyeja përse opozita është në gjendje shumë të rëndë, është se opozita nuk ka ditur të rinovohet, të hapet dhe të afrojë njerëz nga shoqëria civile dhe qytetarë të tjerë. Të dyja janë të vërteta këto arsye që sapo përmenda. Është e vërtetë absolutisht që opozita ka një mungesë besueshmërie si pasojë e faktit që nuk arriti të rinovohej, nuk arriti të hapej, nuk arriti të bëhej e besueshme, jo për të mundur Edi Ramën por për t’iu ofruar shqiptarëve një alternativë, një alternativë të vërtetë, një qeveri që shqiptarët të mund të mendojnë se do jetë e korruptuar, një qeveri që shqiptarët të kenë besim se do të punojë për ta dhe jo për t’u pasuruar vetë.

Zëri i Amerikës: Ju e keni bërë të qartë edhe më përpara që jeni larguar edhe nga ajo pjesë e Partisë Demokratike që drejtohet nga zoti Berisha edhe për këto arsye që parathatë. Keni thënë se do të vazhdoni të bëni opozitë në parlament dhe se i takoni qendrës së djathtë. Pse u shkëputët nga zoti Berisha dhe pikërisht tani? Dhe keni paralajmëruar edhe më parë që do bëni një force të re politike. Jeni gati për të sot?

Agron Shehaj: Unë jam shkëputur nga PD, i kam komunikuar kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Berisha, në qershor nëse nuk gaboj, menjëherë pas zgjedhjeve vendore, largimin tim nga PD-ja. Nuk kam qenë aktiv gjatë këtyre muajve dhe para një muaji pak a shumë e kam bërë publik si vendim. Arsyeja është ajo që sapo përmenda, që nuk mund të vazhdohej në atë mënyrë, shikoja mungesën e një drejtimi, mungesën e vullnetit dhe një plani për të rinovuar Partinë Demokratike, për të hapur Partinë Demokratike, që është e vetmja mënyrë që mund të kemi që të bëhemi të besueshëm me elektoratin, dhe t’i japim një alternativë të vërtetë shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Kjo alternativë do të jetë një forcë e re politike?

Agron Shehaj: Ajo që nuk pata mundësi të bëja apo të jepja kontributin tim për ta bërë brenda Partisë Demokratike është ajo mbi të cilën unë po punoj për ta bërë jashtë Partisë Demokratike. Jam duke punuar mbi një projekt politik, jam duke folur me njerëz. Sigurisht nuk është një gjë e lehtë, politika kërkon këmbëngulje, kërkon sakrifica, sidomos kur nuk je i gatshëm të bësh kompromise dhe sidomos kur vjen nga sektorë ku kanë arritur… duhen njerëz, duhen profesionistë të aftë, që kanë arritur të kenë sukses në fushat e tyre dhe bashkë me ta të ndërtohet një alternativë e vërtetë dhe pse jo e ndershme, e pakorruptuar, për Shqipërinë. Mendoj se ëndrra e çdo shqiptari është që një ditë të qeveriset nga një qeveri e pakorruptuar, të ketë një kryeministër të pakorruptuar.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, zoti Shehaj, kritikët tuaj ju kanë përmendur disa momente kyçe që lidhen me opozitën. Kanë përmendur faktin që ju nuk keni patur një reagim të fortë kur Departamenti i Shtetit shpalli non grata zotin Berisha, por përkundrazi u bashkuat me zotin Berisha. Keni thënë se ai kishte shumicën. Tani ju shkëputeni nga zoti Berisha. Nuk keni bërë deklarata të forta për sa i takon rezultateve në zgjedhjet e opozitës. Fillimisht ato të marsit, që ishin të pjesshme. Më pas ato të muajit maj, që ishin një rezultat zhgënjyes duhet thënë për opozitën. Pse duhet shqiptarët t’ju besojnë juve sot, formacionit të ri që ju sapo paralajmëruat që do të ndodhë?

Agron Shehaj: Le t’i marrim me radhë. Për sa i takon shpalljes së zotit Berisha non grata. Unë kam thënë që ka shumicën. Kam thënë të vërtetën. Nuk kam gënjyer. Nuk kam gjetur një pretekst. Kam thënë thjesht një të vërtetë, që Sali Berisha, pavarësisht se ishte shpallur non grata, kishte shumicën brenda Partisë Demokratike. Dhe unë besoj që elektorati dhe aq më tepër mbështetësit e Partisë Demokratike duhen dëgjuar. Nuk mund të bëjmë sikur nuk i dëgjojmë. Kjo është një arsye për të më besuar dhe jo për të mos më besuar. Fakti që pavarësisht se për mua ishte shumë e lehtë të thosha që Berisha ishte shpallur non grata dhe nuk i takon lidershipi i Partisë Demokratike, unë thashë atë që realisht njerëzit donin. Shumica donte Berishën kryetar të Partisë Demokratike. Vendosa të qëndroj brenda Partisë Demokratike pavarësisht gjithçkaje, sepse shpresoja se do të vinte një ndryshim. Shpresoja, si shumë demokratë të tjerë besoj, që me kalimin e kohës do vinte një ndryshim që në fakt i cili nuk erdhi, sidomos pas rezultatit të zgjedhjeve të fundit, ku praktikisht rezultati ishte jashtëzakonisht shumë i dobët. Sigurisht aty ka shumë arsye pse ka qenë ai rezultat, sepse është e pamundur që në një palë zgjedhje demokratike, pushteti të fitojë mbi 90% të bashkive, se realisht kjo ka ndodhur. Mjafton ky rezultat për të kuptuar se për çfarë zgjedhjesh po flasim. Po ne nuk duhet të fshihemi pas këtij rezultati, për mos të parë se çfarë problemesh kishim dhe çfarë duhet të bënim dhe pse ne nuk kishim sidoqoftë besimin e shumicës.

Kam folur me akte. Kështu mendoj se duhet bërë. Gjithmonë, edhe kur kandidova kundër zotit Basha, nuk e përgatita daljen time, nuk e përgatita vendimin tim duke dalë kundër dhe duke kritikuar. Aq më tepër, jo sepse nuk mund të kritikoja. Sepse shoh që të gjithë kritikojnë, por unë mendoj që gjëja më e rëndësishme është veprimi. Sidomos kur nuk dëgjon njeri. Dhe është fakt që ka një mungesë dëgjimi, le të themi. Unë i ftoj të më gjykojnë mbi faktet, mbi çfarë kam bërë. Dhe jo mbi çfarë thonë të tjerët./VOA