Hapja e fushatës e Nismës në Istog - Foto: Nisma për Kosovën

Krasniqi: Kandidatët e Nismës Nuk do t’ju Zhgënjejnë

Kryetari i Këshillit kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, është zotuar në Istog se kandidatët e kësaj partie nuk do të zhgënjejë asnjëherë qytetarët e kësaj komune.

Më tej Krasniqi tregoi pse është larguar nga PDK. Ai tha se nuk është larguar nga kjo parti për interesa personale, por se ka qenë i bindur se ata njerëz nuk po dinë të qeverisin dhe se ata njerëz nuk po e mbrojnë interesin politik të shtetit.

“Vetë situata politike në të cilën gjendet vendi ynë, shteti ynë dhe kombi ynë flet më së miri se ata njerëz nuk kanë ditur të qeverisin me këtë vend, nuk kanë ditur të forcojnë shtetin dhe për mua dhimbja më e madhe ka qenë kur të rinjtë e Kosovës, 13-16 vjet pas luftës, perspektivën e tyre nuk e shohin në Kosovë, por e shohin në ikje nga Kosova”, tha Jakup Krasniqi në hapje të fushatës në Istog.

“Për ne që kemi bërë diçka për këtë vend nuk ka gjë më të rëndë”, shtoi ai.

Ndërsa, kryetari i Degës së Nismës në Istog dhe bartës i listës, Musa Fetahaj, tha se kandidatët për asamble komunale të Nismës do të jenë shërbyes të popullit e jo sundimtarë të tyre.

Fetahaj tha se kandidatët e Nismës do të jenë zëri i popullit dhe se nga sot do të marrin obligime që asnjë fshat i Istogut të mos mbetet pa ujë të pijshëm.