Avokati i Jakup Krasniqit - dëshmitarit në Hagë: Ka mospërputhje të deklaratave

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit është duke vazhduar në Hagë në Gjykatën Speciale. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të njëjtit nuk e kanë pranuar fajësinë për akuzat.

Në seancën e së martës në Speciale, më 20.02.2024 është duke dhënë dëshminë një dëshmitar i prokurorisë me shifrën W00498, për të cilin kur u thanë të dhënat identifikuese, gjyqtari Charls Smith III mbylli seancën për publikun.

Kurse ajo çka u bë e ditur për këtë dëshmitar gjatë seancës është se i njëjti është pjesë e Ministrisë së Brendshme Serbe dhe punon në sektorin e të huajve-emigrantëve.

“Puna që bëj unë ka të bëjë me të huajt- emigrantët. Punëdhënësi im nuk e di fare që unë jam këtu”- tha ai para gjykatës kur u pyet nga avokati i Jakup Krasniqit – Aidan Ellis.

Ky i fundit e pyeti nëse punëdhënësi i tij e kishte këshilluar të jepte emër tjetër në këtë seancë, por dëshmitari e mohoi një gjë të tillë.

Sipas pretendimeve të dëshmitarit, familja e tij përfshirë nëna, babai, kunata, vëllai dhe nipi i porsalindur ishin rrëmbyer nga pjesëtarët e UÇK-së në korrik të vitit 1998 në Rahovec.

Dëshmitari tha se kur nëna e tij e kishte parë Jakup Krasniqin në televizor në gusht-shtator të vitit 1998, kishte thënë se “ky është personi i cili na ka marrë të dhënat”, kurse avokati Ellis i tha dëshmitarit se nëna e tij asnjëherë nuk e kishte cekur Jakup Krasniqin në deklaratat e saj si personin që i kishte marrë të dhënat në vendin ku po mbaheshin.

Sipas dëshmitarit, nëna e tij e kishte përmendur një person me emrin Jakup Hoti nga fshati Carrallukë  dhe i njejti u kishte qëndruar para derës së dhomës së ndërtesës ku ishin mbajtur dhe i kishte ndihmuar me ushqime, qumësht, pelena të bebeve.

Dëshmitari tha se nëna e tij i kishte thënë se Jakup Hoti i kishte “trajtuar mirë”, kurse Jakup Krasniqi kishte qenë personi i cili u kishte marrë emrin mbiemrin në ndërtesën ku ata po mbaheshin.

Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis tha se ka një mospërputhje mes deklaratave të tij dhe deklaratave të nënës së tij.

“Në deklaratën me shkrim që e ka thënë nëna juaj, nuk ka deklaruar asnjëherë se Jakup Krasniqi i kishte marrë të dhënat personale” – i tha avokati dëshmitarit të sotëm, i cili është pjesë e Ministrisë së Brendshme Serbe.

“Nëna më ka thënë se Jakup Krasniqi i ka marrë shënim të dhënat, dhe është prezantuar, si quheni, emrin,, mbiemrin. Më ka thënë nëna, nuk po e shpik unë. S’ka asnjë mos-përputhje” – tha dëshmitari.

Para dëshmisë së këtij dëshmitari, Trupi Gjykues urdhëroi avokatin Luka Mishetiqin që të dorëzojë listën e përditësuar të anëtarëve të ekipit mbrojtës të Mbrojtjes së Thaçit deri më 11.03.2024.

Më 19.01.2024, avokatët Gregory Kehoe, Joe Reeder, Greenberg Legal Associates dhe Ekipi mbështetës i Greenberg, kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja për Hashim Thaçin.

Në parashtresën e bërë thuhet se Thaçi nuk ka arritur të përmbushë detyrimet financiare ndaj tyre.

Në anën tjetër Ministria e Drejtësisë doli me një njoftim në Facebook për këtë çështje, duke thënë se Ministria ka kryer të gjitha obligimet lidhur me pagesën apo kompensimin e mbrojtjes së Hashim Thaçi.

Për më shumë, sipas Ministrisë vetëm për vitin 2023, kjo ministri ka realizuar pagesa për mbrojtësit e tij në shumën prej 1,371,800.00 Euro.

“Pagesat për mbrojtjen e Hashim Thaçi janë realizuar për vitet 2020, 2021, 2022 dhe 2023. Për vitin 2020, është realizuar pagesë prej 83,107.41 Euro, për vitin 2021 është realizuar pagesë prej 1,114,901.00 Euro, për vitin 2022 pagesa është realizuar në shumën prej 996,600.00 Euro, dhe për vitin 2023 – është realizuar pagesë në shumën prej 1,371,800.00 Euro. Për të gjitha vitet, shuma e pagesës për mbrojtjen e Hashim Thaçi, është 3,566,401.41 Euro” – thuhet në njoftimin e Ministrisë në Facebook.

Tutje, është sqaruar në këtë njoftim se Ministria realizon pagesa vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje, kurse për avokatët tjerë të cilët angazhohen nga Thaçi, Ministria nuk mban përgjegjësi për realizimin e pagesave.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.