Gani Dreshaj, AAK, Istog. Foto: Atdhe Mulla

Kandidati Premton Sanime në Shkolla nga Xhepi i Vet

Kandidati për Kryetar të Komunës së Istogut nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj, u shpreh vullnetar për të ndihmuar në zgjidhjen e disa problemeve në dy shkolla të Istogut, pa i pritur zgjedhjet dhe buxhetin e komunës.

“Po zotohem se deri sot dy javë ato dy probleme qe i kanë në shkollë në Uçë do t’ua rregulloj unë privatisht pa fitu hiç”, tha Dreshaj në Debat Pernime për Istogun, përballë rivalëve në garë.

Në këtë debat u diskutuan shkollat në fshatin Uçë dhe Llukavc i Begut të cilat kanë probleme të mëdha infrastrukturore dhe sanitare.

Sa i përket problemeve në arsim, Agron Avdiaj nga Lëvizja Vetëvendosje tha se do të fokusohen edhe në cilësinë e mësimdhënies përveç infrastrukturës.

“Ne kemi konsideru që e kemi prioritet fushën e arsimit, mirëpo nuk do të konceptohet vetëm në infrastrukturë por edhe në ngritjen e cilësisë”, tha Avdiaj.

Ndërkaq, Arif Elshani nga Iniciativa e Pavarur për Istogun tha se problemet në të gjitha shkollat do të zgjidhen me depolitizim të personelit akademik.

“Të gjithë të punësuarit do të jenë apolitikë, një përkushtim i mirë në ato shkolla do të ndryshonte situata”, tha Elshani.

Në anën tjetër, Beqir Sadikaj nga Partia Demokratike të Kosovës premtoi për rindërtim të tërësishëm të këtyre dy shkollave.

“Ajo shkollë e ka emrin tre dëshmorët, kurrfarë respekti nuk kanë rregulluar vendin. Oborri i shkollës së Llukavcit të Begut është i shtruar me gurë të mëdhenj. Duhet me u ndërtu të reja ato”, tha Sadikaj.