Ferit Idrizi e Xhafer Tahiri në Debat Pernime.

Kandidatët për Vushtrri Zotohen: Dorëheqje në Rast se Ngritet Aktakuzë

Dy kandidatët për kryetar të komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi nga PDK dhe Xhafer Tahiri nga LDK, në Debat Pernime kanë deklaruar se nëse u ngritet aktakuzë nga Prokuroria do të japin dorëheqje.

Kandidati i PDK-së Ferit Idrizi, i pyetur se a do të dorëhiqej nëse ndaj tij ngritet aktakuzë, ai ka thënë se do të veprojë konform ligjit. Ai ka premtuar se do të dorëhiqej menjëherë nëse ndaj tij ngritët aktakuzë.

“Nëse më ngritet aktakuzë, asnjë minutë nuk do të rri kryetar”, ka thënë Idrizi.

Xhafer Tahiri, kandidati nga LDK, ka thënë ai nuk do të rrije kryetar nëse ndaj tij ngritët aktakuzë. Ai ka thënë se asnjë drejtor nuk do ta mbajë me aktakuzë.

“Jo vetëm unë, po asnjë zyrtar komunal dhe drejtor që ka aktakuzë nuk do të vazhdoj të ushtrojë funksionin publik në komunë që udhëheqë unë”, ka deklaruar Tahiri.

Ndryshe në raundin e parë të zgjedhjeve, Ferit Idrizi nga PDK doli i pari me 10,184 vota apo 33.29 përqind, ndërsa Xhafer Tahiri nga LDK i dyti me 7,842 vota apo 25.64 përqind.