Burim Berisha, LDK,Fushë Kosovë. Foto: Atdhe Mulla

Ironia për Kryetarin e Fushë Kosovës, Gypat Për Shkabaj apo për Meksikë?

Isuf Ahmeti, kandidat i AKR-së për kryetar të Fushë Kosovës, tha se ka një program të veçantë për ujësjellësin dhe infrastrukturën, dy nga problemet kryesore të kësaj komune.

“Sa i përket ujësjellësit dhe infrastrukturës ne kemi një program të veçantë për to dhe do të mundohemi që sa me parë të realizohet. Problemi i ujit të pijshëm në Fushë Kosovë është një problem i pashmangshëm dhe do të duhet të fokusohemi në këtë problem, e kemi një burim nga Shkabaj dhe kjo pak e ka zbut problemin e qytetarëve me furnizim”, tha Ahmeti.

Driton Ademi nga Nisma tha se ka kapacitet për ujë por nuk ka menaxhim.

“E para pajtohemi me qytetarët që thonë në Fushë Kosovë nuk ka ujë. Fushë Kosova ka kapacitete për ujë fusha nëntokësore e pellgut që shtrihet përmes Sitnicës dhe lumit Drenica premton kapacitet ujore. Këto puset që janë në Vragoli e Miradi të Ulët duhet të integruar dhe menaxhuar nga një kompani”, tha Ademi.

Burim Berisha nga LDK tha se me vendosjen e gypave në Shkabaj banorët e Fushë Kosovës do të kenë uj.

“Çështja e ujit është para përfundimit kanë mbetur vetëm edhe 2.5 kilometra gyp, kompania i ka paratë. Rrjeti i ujësjellësit në Fushë Kosovë është bërë nga gjermanët. Nuk mujm me fol për dyshime abstrakte. Ujë saktë kemi me pas kur të vendosen 2.5 kilometra gyp nga kompania e ujësjellësit”, tha Berisha.

Ahmet Grajqevci nga AAK ironizoi me ato që tha Burim Berisha në lidhje me gypat duke thënë se deri më tani kjo çështje e ujit do të duhej të kryhej.

“Çështjen e ujit besoj që do të kishte qenë gjëja me e lehtë që ish dashtë me u zgjidh, por kryetari më duket atë gyp pe çon deri në Meksikë e jo deri në Shkabaj”, tha Grajqevci.

Adem Zogjani nga PDK,  tha se deri në mars banorët e Fushë Kosovës do të kenë ujë.

“Unë jam i sigurt që maksimumi deri në mars qytetarët e Fushë Kosovës do të kenë ujë të pijshëm”, tha Zogjani.

Debatin në Fushë Kosovë mund ta ndiqni në linkun më poshtë: