LDK premton rritje të pagave

Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, e ftuar në Debat Pernime ka shpalosur programin e kësaj partie për rritjen e punësimit dhe stabilitetetit ekonomik.

Bajrami ka thënë se Lidhja Demokratike përveç rritjes së buxhetit në 3 miliardë përmes luftës kundër informalitetit do të bëjnë edhe subvencionimin e pagave përmes programeve të kësaj partie.

“Parakusht për rritjen e punësimit është stabiliteti politik. Ne vijmë nga një qeveri dhe kemi një eksperiencë ku jostabiliteti ka ndiku shumë negativisht. Lufta ndaj korrupsionit ndikon po ashtu në rënien e investimeve dhe krijon pasiguri te investitorët edhe të brendshëm. Fillimisht do të fillojmë me forcimin e rendit dhe ligjit, garantimi i tregut të lirë dhe konkurueshmërisë duke eliminuar të gjitha monopolet që ekzistojnë sot, rritja e buxhetit prej 3 miliardë eurosh përmes luftës kundër informalitetit, mbledhja e tatimit mbi vlerën e shtuar, fondi për garanci kreditore, fondi për punësime, programet që kanë të bëjnë me subvencionimin e pagave dhe gjithashtu kemi strategji të ndryshme të tërheqjes së investitorëve të huaj përmes rritjes së kapaciteteve në ambasadat tona kudo në botë”, ka thënë Bajrami.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Haki Abazi- Vetëvendosje, Hykmete Bajrami- Lidhja Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Valdrin Lluka -AKR NISMA PD.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.