Shefi i Sindikatës: Punët e këqija në Telekom kryhen në katin e 4-t

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, tha sot para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Hetimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës se që nga viti 2008, sindikata e ka pasur të vështirë të sigurojë qasje në shumë kontrata të kompanisë, të cilat po vlerësohen si të dëmshme për vet atë.

Në një përgjigje ndaj një pyetjeje të deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, anëtar i i këtij komisioni, kreu i Sindikatës i përshkroi katin e katërt të ndërtesës së Telekomit si vend ku bëhen “punët e këqija”.

“Ka kontrata që na nuk i dimë hiç, në Telekom prej vitit 2008 më përpara hi te kryeministri e Presidenti sesa në katin e katërt, aty bëhen krejt punët e këqija”, tha ai.

Në një përgjigje dhënë KALLXo.com pas raportimit, Balaj tha se në këtë kat janë të vendosura zyret e menaxhmentit dhe bordit të Telekomit.

Zemaj kërkoi më shumë i informacione për numrin e punëtorëve në Telekom, ndërsa Balaj tha se që nga ndaja nga Posta e Kosovës, Telekomi ka 2500 punëtorë.

Albulena Haxhiu, anëtare e komisionit nga VV, kërkoi që të dijë se a është pro privatizimit sindikata e Telekomit të Kosovës si dhe çfarë ka ndodhur me lëndët e dërguara tek krimet ekonomike.

Në përgjigjen e tij Lami Balaj tha se sindikata është kundër privatizimit.

“Unë i kam dërguar në krime ekonomike dhe njëherë jam ftuar i kam thënë që jam i gatshëm edhe prokurorisë së shtetit i kemi bërë thirrje disa herë nuk më ka thirrë kush. Ne si sindikatë jemi kundër privatizimit, dhe mendoj që gjithë shkatërrimi është bë me qëllim që të ulet vlera e Telekomit të Kosovës”, tha Balaj.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se prapa aferës ‘Sim to Sim’ janë grupe kriminale që kanë përfituar nga degradimi i Telekomit.

Lamih Balaj, gjatë raportimit, tha se kontratat për shitje të produkteve të Telekomit po e zhvatin e buxhetin e kësaj ndërmarrjeje

Kryetari i Komisionit hetimor, deputeti Visar Ymeri (PSD) kërkoi më shumë sqarime për kontratat e tjera.

Balaj në përgjigjen e tij tha se nuk kanë asnjë përfitim nga kompanitë e tjera.

“Kompanitë që shesin për neve bash kurgjo s’na vyjnë, këto punë i kemi kry vet, partner kryesor e kemi pas Postën e Kosovës, këto kompani janë ba veç hajt t’ja japin 10, 15, 20%. S’na kanë vy sen, janë kompani që po na zhvatin buxhetin, kanali i punësimit të punëtorëve ka qenë shitja”, tha ai.