Presidentja Osmani: Ne qëndrojme me Ukrainën, e dimë si është të paguash për lirinë

Dita e sotme shënon dy vjetorin e nisjes së agresionit ndaj Ukrainës nga Rusia. Të shumta kanë qenë reagimet edhe nga ndërkombëtarë gjatë ditë së sotme të cilët tregojnë mbështetjen për Ukrainën. 

Edhe Presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani ka shkruar në rrjetin “X” për këtë cështje. 

Me hashtagun ‘ne qëndrojmë me Ukrainën’, Osmani ka shtuar populli kosovar e di se si është të paguash çmimin më të lartë për lirinë.

“Ne e dimë dhimbjen e humbjes së fëmijëve të pafajshëm; të dhunës seksuale gjatë luftës; e varreve masive me eshtrat e njerëzve tanë të dashur. Por liria fitoi Dhe do të mbizotërojë përsëri! Slava (lavdi) Ukraina!”- ka shkruar Osmani në rrjetin social “X”me 24.02.2024. 

Katër liderë perëndimorë mbërritën në Kiev të shtunën për ta shfaqur mbështetjen e tyre për Ukrainën në ditën e dyvjetorit të pushtimit të saj nga Rusia, i cili u ka kushtuar me jetë dhjetëra mijëra njerëzve dhe e ka shkatërruar ekonominë e vendit. 

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, si dhe ai i Belgjikës , Alexander De Croo, udhëtuan me tren nga Polonia drejt Kievit së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Qëllimi i pranisë së tyre në Ukrainë është të theksohet përkushtimi i Perëndimit për ta ndihmuar Ukrainën, e cila është duke vuajtur nga mungesa në rritje e furnizimit ushtarak, gjë që është duke pasur ndikimin në fushëbetejë, ku Moska po arrin të fitojë territor.