Pamje nga një aksident i mëhershëm komunikacioni - Foto: KALLXO.com

Një Foshnjë e Lënduar Rëndë në Aksidentin e Sotëm

Në mesin e 10 të lënduarve në aksidentin e sotëm rrugor, që ka ndodhur në magjistralen Prishtinë – Fushë-Kosovë, është edhe një foshnjë nëntëmuajshe. Ndonëse të gjithë të lënduarit ishin dërguar në QKUK, vetëm foshnja, e cila ka marrë lëndime serioze, po mbahet edhe më tej në spital.

Këto informacione i ka dhënë për KALLXO.com, mjeku kujdestar i Klinikës Emergjente, Ejup Govori.

Govori ka thënë se sipas informacioneve që i ka, foshnja e lënduar, nuk ka qenë në asnjërën prej pesë veturave të aksidentuara sot paradite. Foshnja, sipas tij, paska qenë në rrugë me nënën e vet lypsare.

“Ne në bazë të informatave të cilat i kemi marrë, ajo paska qenë me nënën e cila e ka bërë punën e lypsares në rrugë. Rastësisht ka qëlluar aty dhe fatkeqësisht aty është goditur nga automjeti dhe është lënduar në kokë”, ka thënë për KALLXO.com mjeku Ejup Govori.

Sipas tij, nga të gjithë të lënduarit e sjellë në QKUK foshnja ka pësuar lëndime më serioze.

“Një prej të lënduarve është një foshnjë nëntëmuajshe. Ajo ka qenë me lëndime pak më serioze, me frakturë të eshtrave të kafkës dhe me gjakderdhje të brendshme nga truri, nga sistemi nervor qendror dhe pas bërjes së CT-së është diagnostikuar, është kryer konsulta dhe është pranuar në repartin e Neurokirurgjisë”, u shpreh Govori.

Mjeku theksoi po ashtu se në bazë të ekzaminimeve dhe konsultave foshnja nuk është në rrezik për jetën. “Me një trajtim adekuat nga neurokirurgu ajo do të përmirësohet dhe do të lirohet për në shtëpi”, theksoi mjeku kujdestar.

Sa u përket nëntë personave të tjerë të lënduar në aksidentin zinxhiror, Govori tha se ata janë të moshave të ndryshme dhe me lëndime të lehta trupore, si gërvishtje dhe ndrydhje në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas tij të gjithë janë liruar për në shtëpi.

KALLXO.com ka shkruar për këtë aksident, në të cilin ishin të pëfshira pesë vetura dhe në të cilin u lënduan 10 persona, të cilët ishin dërguar për trajtim në QKUK.

http://kallxo.com/10-te-lenduar-ne-aksidentin-zinxhiror/