Pamje nga një mbledhje e mëhershme e Qeverisë - Foto: ZKM

Miratohet Nisma për Marrëveshje 78 Milionëshe me BE-në

Marrëveshja financiare lidhet me Instrumentin e Ndihmës së Paraanëtarësimit (IPA), ndërsa ka për qëllim zhvillimin e sektorëve të caktuar në vendet kandidate për BE.

Vlera e marrëveshjes IPA 2015 është 81 milionë euro, 78 milionë nga të cilat të dhëna nga BE-ja e 3 nga Qeveria e Kosovës.

Duke prezantuar nënshkrimin e nismës për këtë marrëveshje, ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku në mbledhjen e qeverisë tha se ajo do të fokusohet në sundim të ligjit, energji dhe bujqësi.

Ai bëri të ditur se këto para do të përdoren edhe në fusha tjera.

“Përveç këtyre sektorëve do të mbështeten edhe procesi i integrimit evropian dhe përafrimi ligjor me BE-në si dhe nevojat për financim që rezultojnë nga dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,” tha Çollaku.

Për hapat e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Ministria e Integrimit Evropian në emër të Qeverisë së Kosovës do të konsultohet me përfaqësues të Komisionit Evropian.