Krijuesit e Drenicës përmes poezive kujtojnë Rifat Kukaj

Edicioni i gjashtë i manifestimit kulturo- letrar ‘Vjersha dhe vargje” do të mbahet sot, më 26 tetor 2019 në Shtëpinë e Kulturës në Drenas.

Ky aktivitete organizohet nga Asociacioni i letrarëve dhe artistëve Art Club “Rifat Kukaj” dhe mbahet në kujtim të shkrimtarin Kukaj.

Izet Abvdyli, kryetari i Art Clubit “Rifat Kukaj” ka thënë për Kallxo.com se ky manifestim tashmë tradicional, që do të mbahet më 26 tetor 2019 duke filluar nga ora 12:00, këtë vit do të përmbajë tri aktivitete.

“Janë tri aktivitete për këtë edicion: Tryezën tematike për krijimtarinë letrare të shkrimtarit Iljaz Prokshi, ku do të paraqitën me kumtesat e tyre: Adem Gashi, Halil Xani dhe Xheladin Mjeku. Prezantimi i botimeve të Art Clubit të autorëve: Bedri Tahiri, Halil Xani, Avdi Shala, Izet Abdyli e Xheladin Mjeku dhe në fund do të jetë Ora poetike ‘Rifat Kukaj’ ku do të ndahen edhe çmimet nga konkursi letrar i cili ka qenë me shifër”, ka thënë Abdyli.

Ai ka thënë se në konkurs kanë marr pjesë krijues nga e gjithë hapësira shqiptare dhe do të ndahen tri çmime për poezi nga juria e manifestimit.

Çmimi i parë, i dytë dhe i tretë dhe çmimi motivues për të rinj “Iljaz Prokshi”.

Ndërkaq, kryesia e Art Club, “Rifat Kukaj” do të ndajë edhe çmimin special  “Rifat Kukaj” për vepër jetësore në krijimtari letrare.