Poezitë me 'gjuhë nxitëse' që çuan në burg poetin Haxhi Morina

Në mes të asaj se sa është njerëzore të bëhet thirrje për dhunë e shfarosje të një komuniteti në emër të artit apo të preken kufijtë e mendimit të lirë në krijime artistike, tri poezi të poetit Haxhi (Gjin) Morina ditëve të fundit janë konsideruar si thirrëse të dhunës e përçarjes ndërfetare.

Pas botimit të librit të tij “Bubullimë e shpirtit” më 12 gusht, por ende pa dalur në treg, u evidentua se ndër poezitë tjera gjenden edhe tri poezi të cilat përmes tyre nxitet urrejtje dhe mosdurim ndaj myslimanëve, ku ndër të tjerash thirret në dhunë ndaj tyre dhe rrënim të objekteve fetare, konkretisht xhamive.

Megjithatë, pas bërjes publike të poezive, të shtunën, i dyshuari ishte arrestuar dhe i ishin sekuestruar librat. Ndërsa sot prokurori i rastit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, e cila është aprovuar nga Gjykata kompetente.

“Prokuroria njofton se, rasti ka ndodhur më 12 gusht 2021, në Gjakovë, pikërisht brenda një hoteli, ku i pandehuri H. M., gjatë promovimit të librit të tij, nxit dhe publikisht përhapë urrejtje dhe përçarje”, njofton Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, në mesin e përmbajtjes të këtij libri, janë të shkruara disa poezi si, “Qohu Enver”, “Shporruni njëherë e përgjithmonë”, dhe “Msitnia”, të cilat kanë përmbajtje të urrejtjes dhe përçarjes kombëtare e fetare, ku i njëjti, me këto veprime ka mundur të prish rendin publik në Republikën e Kosovës.

 Në poezinë “Qohu Enver” dhe dy të tjerat të lartcekura, përmes vargjeve bëhet thirrje për shfarosje të komunitetit mysliman, kinse sipas tij ‘na e kanë marrë fytyrën’ dhe për rrënimin e xhamive, kthimin e xhamive në kisha, sepse sipas tij janë mbushur me talebanë.

Sipas nenit 141 të Kodit Penal të Kosovës, kushdo që nxit ose përhapë publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Ndërsa se sa është e duhur që të botohen shkrime të tilla për publikun, nga shtëpia botuese e librit në fjalë “Lena Graphic” thanë për KALLXO.com se ky libër ende pa dalë në treg është tërhequr. Krahas kësaj nga shtëpia botuese nuk e mohojnë që shkrime të tilla mund të nxisin urrejtje. Por, sipas tyre poeti e ka botën e vet dhe ata nuk kanë të drejtë që të mos ia botojnë shkrimet.

“Ne si shtëpi botuese nuk  kemi të drejtën të ua ndalojmë fjalën e lirë. Mendoj se poeti ndryshe kupton botën, pra ai ka imagjinatën e vet dhe për një poezi me u marrë Prokuroria e shtetit më duket pak e tepërt. Poeti mendon se Shqiptaria po rrezikohet dhe është kritik ndaj kulturave aziatike”, thanë nga ‘Lena Graphics’.

Ndërsa, klubi letrar në Gjakovë “Gjon Nikollë Kazazi” i cili e ka promovuar këtë libër është distancuar publikisht ndaj përmbajtjes antifetare të paraqitur në libër.

 “Njëkohësisht ju kërkon falje komunitetit musliman, të cilit i takoj edhe vet si kryetar i klubit, që na është përvjedh ky lëshim pa pëlqimin tonë dhe pa dijenin tonë”, kanë thënë nga klubi letrar.

Sipas klubit, Morina ka kërkuar nga klubi të bëjë një takim të tij me letrarët e Gjakovës në kuadrin e takimeve me krijuesit e diasporës dhe më 12 gusht 2021 është mbajtur takim-promovimi në të cilin nga nga asnjë të pranishmit në promovim nuk ka pas asnjë fjalë antifetare kundër komunitetit mysliman.             

Ndërkaq, se sa janë të pranueshme për letërsinë dhe artin në përgjithësi poezitë e tilla, poeti kosovar, poezitë e të cilit janë përkthyer në më shumë se 22 gjuhë të botës, Jeton Kelmendi thotë se figura si Gjin Morina nuk duhet të promovohen as për të mirë as për të keq, për shkak se e konsideron si të shëmtuar tendencën e tij për t’u bërë shkrimtar përmes shpifjeve ndaj grupeve të caktuara.

“Letërsia është një art human, për të bukurën dhe për të mirën, për dashurinë dhe jo për urrejtjen pavarësisht ngjyrës, racës apo fesë. Mendoj që një shkrim i tillë nuk i bënë nder autorit, por tregon shëmtinë e brendshme shpirtërore dhe mendore që ka një person i caktuar për të shkruar kundër dikujt tjetër”, tha Kelmendi.

Sipas tij, në asnjë rrethanë nuk guxon ta poshtërosh ose ta mohosh një grup tjetër, çfarëdo qoftë ai dhe se persona që shkruajnë sikurse Morina, nuk ia vlen as të bëhen publik.

“Kur ai e kundërshton një besim që do e nuk do është besim kryesor në Kosovë dhe ndër shqiptarët, është e paprecedentë, e shëmtuar që të shkruaj gjëra të tilla”, thotë ai.