Pamje nga ambientet e KOSTT-it - Foto: Facebook

KOSTT: Një Pjesë e Madhe e Kosovës Mbeti Pa Rrymë

Është konfirmuar se disa qytete kanë mbetur pa rrymë në kohën kur po zhvillohej debati për Demarkacionin me Malin e Zi.

Në komunikatën e lëshuar nga KOSTT konfirmohet se ndërprerja e energjisë elektrike është bërë për shkak të një lidhjeje të shkurtë kalimtare në largpërçuesin e tensionit të lartë që lidh dy pjesë të qytetit të Prizrenit.

“Si pasojë e kësaj rënie është shkaktuar mbingarkesë në rrjetin transmetues dhe në ora 12:43 kanë rënë nga puna largpërçuesit LP 118/5 NS Prishtina 4 – NS Ferizaj 1, LP 112/1 NS Kosova A – NS Lipjan, LP 184/1 NS Prishtina 4 – NS Gjilan me ç’rast kanë mbetur pa tension Nënstacionet: NS 110/35/10 (20) kV Prizren 1, NS 110/10 kV Prizren 3, NS 110/35/10 (20)kV Theranda, NS Ferizaj 1, NS 110/35/10 kV Viti, NS 110/10 (20) Gjilan5, NS 110/35/10 kV Gjilan 1, NS 110/10 (20) kV NS Berivojca dhe NS 110 kV Sharri”, thuhet në komunikatën e KOSTT-it.

E rajoni i Ferizajit kishte situatë të rëndë të furnizimit me energji elektrike për shkak të punimeve në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup.

KOSTT-i thotë se ndërprerja e energjisë elektrike ka zgjatur në mes të 40 dhe 60 minutave.

“Komisioni i ekspertëve të KOSTT aktualisht është duke analizuar shkaqet e paraqitjes së lidhjes së shkurtër në rrjetin transmetues dhe do të bëjë raportimet përkatëse në pajtim me Kodin e Rrjetit”, thuhet në komunikatën e KOSTT-it.

Ndërprerja e energjisë elektrike është ngritur gjatë ditës nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha.

Sipas tij, rryma është ndalur në kohën kur argumentet për çështjen e demarkacionit po i paraqiste Shpejtim Bulliqi, i cili ndonëse është deputet nga radhët e LDK-së ka dalë kundër Komisionit Shtetëror për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

http://kallxo.com/ndalet-rryma-ne-mes-te-debatit-per-demarkacionin/