Prezantimi i KDI-së | Foto: KALLXO.com

Kosova ende nën Mesataren Botërore për Luftimin e Korrupsionit

Pavarësisht se Kosova ka qenë vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që ka pasur me rritje në trajtimin e korrupsionit, kjo shifër është ende nën mesataren globale.

Ky konstatim doli  nga prezantimi i indeksit të korrupsionit të mbajtur nga Instituti Demokratik i Kosovës, KDI.

Majlinda Kurti, hulumtuese e këtij instituti, tha se gjatë vitit 2017, Kosova ka bërë progres për 3 pikë në tabelë, duke u ngjitur kështu 10 vende më lart.

“Sivjet ajo është në vendin e 85-të dhe në krahasim me rajonin ajo e lë prapa Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnjën, ndërsa para saj janë Mali i Zi dhe Serbia”, tha Kurti.

Kurti shtoi se indeksi i Kosovës është 39, por që kjo është ende nën indeksin mesatar global të korrupsionit i cili është 43 pikë.

Ndërsa, Arben Kelmendi nga po kjo organizatë, tha se fushat e progresit të Kosovës kanë qenë te rritja e pavarësisë së gjyqësorit, fuqizimi i mediave dhe lufta kundër korrupsionit.

Kelmendi tregoi se organizatat ndërkombëtare e kanë vlerësuar përmirësimin e kornizës ligjore për gjyqësorin dhe prokurorinë.

“Shumica e ndryshimeve ligjore dhe kushtetuese që kanë ndodhur në Kosovë që kanë mundësuar që shumica e anëtarëve të KGJK-së dhe KPK-së të zgjidhen nga kolegët e tyre janë evidentuar si zhvillim që ka ndikuar në ngritjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe ta largojë atë nga ndikimet politike.

Ai tha se edhe mosprania e ministrit të drejtësisë në Këshillin Prokurorial i ka dhënë pikë pozitive Kosovës.

“Por edhe vetë fakti se që nga viti 2016 ministri i drejtësisë nuk është pjesë e Këshillit Prokurorial konsiderohet një hap përpara drejt çlirimit të sistemit prokurorial”, tha Kelmendi.

Ndërkaq, Kelmendi tregoi se në fushën e fuqizimit të mediave është rritur cilësia e raportimit të rasteve të korrupsionit.

Duke folur për raportimin e korrupsionit në media ai tregoi se raporti e përmendi Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese BIRN dhe Gazetën Insajderi si shembuj.

Sipas Kelmendit, këto dy mediume bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në kallëzimin e rasteve korruptive në Kosovë.

Kelmendi shtoi gjithashtu se ka qenë rritja e numrit të rasteve të korrupsionit që janë marrë në shqyrtim gjyqësor që e ka ngritur Kosovën më lart në tabelë.

Por, sipas tij këto janë rastet e korrupsionit të nivelit më të ulët.

“Këto raste të korrupsionit kryesisht kanë të bëjnë me korrpusion të shkallës së vogël dhe ende mungojnë rastet gjyqësore të zyrtarëve të lartë te të cilët edhe pesha e korrupsionit është më e madhe”, u shpreh ai.