Ilaqi i shtrenjtë i COVID duhet të blihet nga familjarët, në spitale nuk ka furnizime

Nëse kalon afër Klinikës Infektive në QKUK dhe bisedon me familjarët e pacientëve të cilët gjenden brenda mureve të kësaj klinike do të dëgjosh rrëfime të ndryshme.
Përveç hallit se si është gjendja e familjarëve ata do të rrëfejnë edhe probleme të tjera bazike, siç janë problemet me mungesën e barnave.

Ilaqi Remdesivirë ka treguar efekt të mirë tek pacientët e infektuar me COVID-19, por familjarët ankohen se ilaqin Remdesivirë detyrohen ta blejnë vet pasi që ky i fundit mungon në QKUK, çmimi i ilaqit Remdesivira ka kosto të lartë.

Në ballkonin e Infektivës ku po qëndronte një familjar, thotë se kanë blerë 10 ampullë Remdesivirë, një ampullë është blerë 200 euro, sipas kalkulimeve kuptojmë se 2000 euro janë harxhuar vetëm për këtë lloj ilaqi.

“10 ampulla i kam ble. 200 euro një ampullë”, tregon njëri nga familjarët.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë thotë se janë në pritje për furnizim me barin Remdesivirë.

KALLXO.com ka kontaktuar, Milaim Abdullahun, furnizuesin e barnatoreve, i cili ka thënë se tenderi për furnizim me Remdesivirë ka dështuar për shkak se operatorët të cilët nuk e kanë fituar tenderin janë ankuar dhe për këtë arsye është shtyer tenderimi.

“Ministria e Shëndetësisë para një muaji e ka shpallë tenderin për Remdesivirë, ka pas në treg (nëpër barnatore) nga 180, 170,160 euro, mirëpo kur Ministria (e Shëndetësisë) e shpalli tenderin atëherë u tërhoqën të gjitha depot e barnatoreve sepse e kanë ditë që kur e blen ministria nuk iu shitet më. 16 kompani kanë aplikuar (në tenderin për remdesivirë) është shpallë fituesi mirëpo disa kompani shantazuese janë ankuar dhe kjo është arsyeja e stërzgjatjes”, ka treguar Abdullahu.

Ai gjithashtu tha se këto dy javë është rritur nevoja për Remdesivirë.

“Këto dy javë është një vakum i madhë sepse është aq krizë e madhe për Remdesivirë në Kosovë sa që nuk është normale kjo” , tregoi tutje.

Në anën tjetër, Infektologu Salih Ahmeti, e konfirmoi se pacientët e infektuar me coronavirus janë duke e blerë vetë ilaqin Remdesivirë.

“Në rastet indikative po (është duke u përdorur Remdesivira) edhe Favipiravira (është duke u përdorur) Favipiravirën e kemi, Remdesivirën ende jo. Kemi premtime nga Ministria që do të furnizohemi, por tash po i blejnë (pacientët) vet”, tha Saliu për KALLXO.com.