Ilustrim Foto: KALLXO.com

Barnat që nuk mundi t’i blinte përmes prokurimit, MSh i siguron përmes UNICEF-it

Mungesa e autorizimit për marketing për 51 lloje të barnave në Kosovë, ia ka pamundësuar Ministrisë së Shëndetësisë furnizimin me to përmes tenderëve.

Prandaj, Ministria e Shëndetësisë ka gjetur një formë tjetër. Ajo ka vendosur që për gjysmën e këtyre barnave, prokurimin ta kryej përmes UNICEF-it.

Kjo ministri tha për KALLXO.com se meqë nuk ka mundur të furnizohet me këto barna edhe pse është bërë procedura e tenderimit të tyre, ajo ka bërë kërkesë të në bazë të marrëveshjes që kanë me UNICEF-in, të shikohet mundësia e furnizimit me këto barna.

UNICEF ka aprovuar kërkesën e ministrisë vetëm për 25 lloje të barnave, në vlerë mbi 217 mijë euro, shumë e cila paguhet nga Ministria e Shëndetësisë.

Prej këtyre barnave, 11 prej tyre janë për Klinikën e Onkologjisë, në vlerë prej mbi 179 mijë dollarë. 14 të tjerat, në vlerë prej mbi 38.5 mijë dollarë janë për nivelin parësor shëndetësor, ku përfshihen qendrat e mjekësisë familjare.

Për dy prej produkteve të nivelit parësor, ministria tha se veçse është bërë furnizimi më 4 dhjetor.

“Ndërsa për 12 produkte (të nivelit parësor) se kur do te liferohen, jemi në pritje të përgjigjes nga ana e zyrtarit të UNICEF” – thuhet në përgjigjen e MSh-së.

As për barna onkologjike, ministria nuk ka ofruar një datë të saktë se kur do të bëhet furnizimi.

“Mund të themi se liferimi i tyre mund të ndodhë në afat prej 5-6 muaj nga momenti i parapagimit nga MSH, ku parapagesa nga MSh është bërë rreth tre muaj me parë, mirëpo nuk mund të cekim një datë të saktë për liferim momentalisht, për arsye të procedurave që ka UNICEF” – thuhet  tutje në përgjigjen e ministrisë.

Autorizimi për marketing është leje që jepet nga Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) për aprovimin e barit për treg bazuar në plotësimin e kërkesave për kualitet, siguri dhe efikasitet për përdorim human në tretmanin terapeutik. Ky autorizim parashihet me Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF kanë të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për vizitat në shtëpi për shëndetin e nënës dhe fëmijës.