(Ilustrim) - Foto: Naser Sertolli/KALLXO.com

Ministria e Shëndetësisë: Pretendimet për mungesë të furnizimit me barna në veri të vendit janë ta pabaza

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se është sinjalizuar dhe informuar se ka pretendime për mungesë të furnizimeve me barna e materiale shëndetësore për qytetarët në komunat veriore.

Këto pretendime, Ministria thotë se janë të pabaza dhe tendencioze.

Pavarësisht mbylljes së dy pikave kufitare me Serbinë, Ministria thotë se rastet e importimit të produkteve nga Serbia në përputhje me Ligjin për pajisje dhe produkte medicinale përbëjnë gjithmonë përjashtim.

“Bëjmë me dije se çdo kërkesë për donacione për Institucionet shëndetësore në komunat me shumicë serbe trajtohet nga komisioni i donacioneve dhe në asnjë rast nuk ka pasur vonesë të asnjë forme. Deri më tani asnjë kërkesë e tillë nuk është refuzuar” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ministria thotë se është e gatshme në çdo kohë për furnizim e mbështetje tjetër që mund të kërkohet nga këto institucione shëndetësore.

Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën me Serbinë u mbyllën më 24 shtator nga Policia e Kosovës për shkaqe sigurie, pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor dhe u plagos një tjetër.