Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës - ShSKUK

Furnizimi me barna, raporti i punës së SHSKUK-së bie ndesh me diskutimet në bord

Anipse problemi i furnizimit gjysmak me barna e material mjekësor dhe mungesa e zbatimit të plotë të sistemit të menaxhimit të barnave janë kryefjalë e diskutimeve mes bordit dhe drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, raporti 6-mujor i po këtij institucioni flet ndryshe.

Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, në njërën prej mbledhjeve të bordit pati thënë se furnizimin me barna e ka gjetur nën 50%, kur ai mori postin më 5 korrik.

Në po këto mbledhje, të monitoruara në vazhdimësi nga KALLXO.com, është përmendur disa herë fakti se disa prej klinikave e spitaleve nuk e zbatojnë Sistemin për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik (SMSF).

Ndërkaq, raporti 6-mujor i SHSKUK-së thotë se aktivitete të realizuara janë furnizimi i qëndrueshëm me barna e material mjekësor dhe funksionalizimi në tërësi i SMSF-së. Shifrat e raportit thonë se sipas planifikimit, furnizimi me barna ka qenë 67%, e ai me material 79%.

Ky raport u prezantua në pika të shkurta para bordit e drejtorit nga hartuesi i tij, Sali Bllaca, i cili është shef i Sektorit për Mbrojtje dhe Siguri në Punë në SHSKUK, më 11 tetor.

Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, i cili mori këtë pozitë në muajin e 7-të të vitit, tha për KALLXO.com se ka kërkuar nga hartuesi i raportit që me prioritet të lartë të arsyetojë secilën nga pikat e raportit. E edhe pse në mbledhje u prezantua si raport, Azizi në përgjigje e quajti atë draft-raport, dhe shtoi se nuk e ka miratuar ende.

“Drejtori disa herë në mbledhje të Bordit Drejtues, ku keni qenë prezentë edhe ju, ka ngritur shqetësime se furnizimin me barna nuk e ka gjetur të qëndrueshëm, në përqindjen e proklamuar dhe po punohet vazhdimisht për ta përmirësuar” – tha zyra e drejtorit të SHSKUK-së, e pyetur nëse pajtohet me këtë përmbajtje të raportit.

Azizi pati deklaruar se planifikimi për furnizim me barna ka qenë i dështuar dhe se ka pasur edhe keqinterpretim te listës esenciale.

Kryesuesi i bordit dhe sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, kishte thënë në mbledhjen e 4 tetorit se disa prej njësive kanë refuzuar zbatimin e këtij sistemi për menaxhimin e barnave. Madje, sipas tij, disa individë e kanë bërë këtë qëllimisht. 

Ai pati kërkuar nga drejtori Azizi që ky sistem të shtrihet në të gjitha njësitë përbërëse të SHSKUK-së.

Lidhur me këto pretendime të Bardiqit, KALLXO.com ka pyetur Ministrinë se a kanë filluar të veprojnë për të parë se kush është përgjegjës për moszbatimin e sistemit dhe se a do të merren masa ndaj tyre.

“Duke qenë në dijeni të procesit, konsiderojmë të jetë një keqkuptim, pasi ky konstatim ishte para vitit 2018 kur ende nuk ishte e implementuar SMSF, andaj me implementimin e SMSF nga viti 2018 kemi një gjendje të re dhe përdorueshmëria është në nivelet maksimale aty ku është arritur ta implementojmë” – është përgjigjur Ministria e Shëndetësisë.

Sistemi për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik mundëson menaxhimin e procesit të furnizimit me barna dhe materiale medicinale, duke filluar nga institucionet e nivelit qendror te institucionet shëndetësore e deri te shpërndarja për pacientin.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, qëllimi tjetër i SMSF-së është ofrimi i transparencës në furnizimin me barna dhe material medicinal.

Ky sistem, siç thotë Ministria, është zhvilluar në vitin 2013 dhe është ridizajnuar dhe operacionalizuar sipas vendimit te Këshillit Nacional për Sistem Informativ Shëndetësor nga viti 2018.

Ministria thotë se ka dërguar edhe një qarkore informative, e cila i obligon institucionet ta përdorin atë.

Tjetër objektiv i paraqitur si i realizuar, i ndërlidhur me dy të parat është shpërndarja e produkteve medicinale në kohë, sipas kërkesave të njësive.

KALLXO.com kishte raportuar për mungesën e dy medikamenteve në QKUK, për të cilat Barnatorja Qendrore dhe operatorët ekonomikë, të cilët e bëjnë furnizimin me to, e mbanin përgjegjës njëri-tjetrin.

Si aktivitete të përfunduara janë shkruar edhe plotësim/ndryshimi i statuteve të SHSKUK-së, QKUK-së, QSKUK-së dhe të spitaleve rajonale.

Këto statute, siç janë përmendur në mbledhjet e bordit, janë ende në proces të ndryshimit dhe ende nuk kanë dalë as në diskutime publike.

Statuti i SHSKUK-së parasheh që drejtori i përgjithshëm përgatit për bordin drejtues dhe Ministrinë e Shëndetësisë raporte të rregullta vjetore dhe raporte periodike (3- mujore).