Haziri: Gjilani synon zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm për 100 vitet e ardhshme

Gjilani synon zgjedhjen e problemit të ujit për 100 vitet e ardhshme sipas  kreut të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ai ka pritur në një takim pune përfaqësuesit e ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, ku kanë biseduar për mundësinë e përfshirjes së Gjilanit dhe Anamoravës në projektin që parasheh zgjidhjen e problemit të ujit për 100 vjetët e ardhshëm dhe njëkohësisht ndikimin në zhvillimin e sektorit të bujqësisë përmes sistemit të ujitjes

“Mundësia e përfshirjes  së Gjilanit dhe Anamoravës në këtë projekt prej afro 500 milionë euro, është një mbështetje jetike që i jepet qytetarëve për 100 vjetët e ardhshme dhe njëkohësisht një mundësi shumë e madhe e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në këtë regjion. Ky grant nga Banka Botrore dhe i implementuar së bashku me Qeverinë e Kosovës, nuk parasheh implikime buxhetore të Komunave, Gjilan, Viti, Kaçanik, Shtërpcë, Ferizaj, Shtime dhe Lipjan”, citohet të ketë thënë kryetari Haziri.

Tutje Haziri tha se pas përfundimit të fazës së studimit të fizibilitetit, për mundësinë e përfshirjes së Gjilanit dhe Anamoravës në këtë projekt, gjendja në këtë pjesë do të ndryshojë rrënjësisht sa i përket ujit të pijes dhe zhvillimit të këtyre Komunave.

Kurse, ekspertja e angazhuar për studimin e fizibilitetit, Karina Zachodni, ka potencuar se vlera e përafërt e projektit parashihet të jetë rreth 500 milionë euro në tërësi dhe do të mundësojë një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, por edhe kapacitete të mjaftueshme për ujitjen njëkohësisht.