Pamje nga videoxhirimi i publikuar nga FBI
FBI-ja publikon pamjet e vrasësit duke ikur pasi e qëlloi me armë Kirkun
Një video e re që shfaq të dyshuarin për vrasjen e aktivistit konservator amerikan, Charlie Kirk, duke ikur nga vendi i ngjarjes, është publikuar nga zyrtarët e FBI-së dhe Utah, raporton BBC.
Në videoxhirim, një burrë vrapon mbi një çati nga ku u shkrep e shtëna fatale dhe hidhet disa metra në tokë, para se të vrapojë në një zonë të pyllëzuar.
Policia gjithashtu ka publikuar imazhe të reja të një “personi me interes” të veshur me një bluzë të zezë me një flamur amerikan mbi të dhe këpucë Converse.
Kërkimi për personin e armatosur vazhdon, me FBI-në që ofron 100 mijë dollarë për informacionet që çojnë në kapjen e tij.
Autoritetet thonë se po mbledhin provat e nevojshme për dënim me vdekje për të dyshuarin, një ditë pasi zbuluan një pushkë të kalibrit të madh pranë.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka shoqëruar arkivolin e Kirkut ndërsa ai kthehet me aeroplan në Phoenix në Arizonë.
Ish-agjenti i FBI-së, Dennis Franks, ka folur më parë për BBC News Channel dhe ka theksuar se beson që personi që qëlloi ka të ngjarë të ketë qenë gjuetar.
“Duhej shumë vetëbesim për të qëlluar, për të ekzekutuar dhe për të qëlluar aty ku duhej”, i ka thënë ai BBC-së, duke shpjeguar se distanca e të shtënave nuk do të ishte sfiduese për një gjuetar me përvojë.
Ndërsa “kushdo mund të zbriste në një poligon qitjeje dhe të stërvitej me dylbi”, ish-agjenti i FBI-së ka theksuar se ishte një kombinim i zonës dhe “vetëbesimit” të personit që qëlloi me armë që i sugjeronte se personi që qëlloi Charlie Kirk mund të ishte një gjuetar.
“Unë kam tendencë të mendoj nga një këndvështrim sjelljeje se ai veproi i vetëm”, ka shtuar ai.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com