Gjykimi ndaj Pjetër Ndercajt - 14.02.2020

Dëshmitari rrëfen si kishte provuar pajtimin e Valbona Ndrecajt me burrin i saj

I akuzuari për vrasjen e gruas së tij Valbona Ndrecaj dhe vajzës së tij 9 vjeçare, Pjetër Ndrecaj është sjellë para Gjykatës në Gjakovë me jelek antiplumb.

Në seancën e sotme si dëshmitar u dëgjua djali i hallës së Valbona Ndrecajt, Lush Krasniqi.

Paraprakisht gjykatësi Gëzim Pozhegu, njoftoi se nga mbrojtësi i të akuzuarit Pjetër Ndrecaj, avokati Ndrec Dodaj ishte kërkuar që të nxirreshin dy dosje shëndetësore të klientit të tij.

Gjykimi ndaj Pjetër Ndrecajt – 14.02.2020

 

Avokati Dodaj me parashtresë kishte kërkuar gjykatës që të bëhej kërkimi i dosjes shëndetësore të të akuzuarit nga burgu i Dubravës, si dhe të dhënat apo raportet shëndetësore të spitalit “Isa Grezda”, në Gjakovë, por nëse kjo e fundit nuk mund të sigurohet atëherë si dëshmitar të ftohet neuropsikiatri, doktori Mahmut Lila.

Një kërkesë të tillë, gjykata e aprovoi duke vazhduar më pas me dëshminë e dëshmitarit Lush Krasniqi.

Dëshmitari Krasniqi, tregoi se bashkë me burra të tjerë kishte kontribuar në bisedimet e dy familjeve Ndrecaj dhe Marku, për bashkimin e çiftit Ndrecaj.

Ai tha se kishte propozuar që çifti Ndrecaj, të mos nguteshin që të ndaheshin përfundimisht në gjykatë, por që fillimisht të qetësohen e të mendojnë.

Lush Krasniqi tregoi se kur kishin shkuar për zgjidhjen e problemit të tyre, Pjetri ia kishte shtri dorën Valbonës për ta përshëndetur, ndërsa ajo kishte refuzuar përshëndetjen.

Ai tregoi se Valbona assesi nuk ishte pajtuar që të kthehej te burri i saj dhe për një moment i kishte thënë Pjetrit: “Ti ke dashtë mem shitë”.

Dëshmitari Lush Krasniqi, tregoi se Pjetër Ndrecaj, pas dëgjimit të fjalëve të Valbonës, familjes së saj iu kishte thënë “më keni borgj”.

Lush Krasniqi tha se kishte biseduar edhe personalisht me Valbonën për kthimin e saj tek Pjetri, po që përgjigjja e saj kishte qenë “Jo”.

Pas dëshmisë së Lush Krasniqit, avokati Ndrec Dodaj, ndonëse nuk i parashtroj ndonjë pyetje dëshmitarit, ai dha vërejtje në dëshminë e tij.

Ndërkaq trupi gjykues me kryetar Gëzim Pozhegun dhe anëtarët Mizair Shabani dhe Ilir Rashkaj, caktuan datën 18 shkurt për dëgjimin e dy dëshmitarëve të tjerë të cilët do të sillen me detyrim në gjykatë dhe më pas për të vazhduar me daljen në vendin e ngjarjes.

Në këtë rast gjyqësor, kishin dëshmuar edhe dy vëllezërit e Valbonës, Shkelzen dhe Kujtim Marku.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast – LINK

Pjetër Ndrecaj, ishte gjykuar e dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij. Ai gjendet në paraburgim nga data 7 gusht 2018.

Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt, iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Kolegji i gjykatës Supreme, kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.

Shtëpia ku jetonte Familja e Valbona Marku Ndrecaj tashmë është djegur.

Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit të kaluar ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e shtatë gushtit 2018.