Foto: KALLXO.com

Vëllai i Valbona Ndrecajt: Në Polici asaj i thanë – ‘Është burri yt, kthehu te burri!’

Pjetër Ndrecaj, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij, Valbona Ndrecaj dhe vajzës së tij 9 vjeçare, është sjellë sërish në Gjykatën e Gjakovës me zinxhirë në duar e këmbë dhe me jelek antiplumb.

Në seancën e sotme të rigjykimit kanë dëshmuar familjarë të dy familjeve.

I pari që dëshmoi ishte Ndue Mehmeti, mesiti i çiftit Ndrecaj. Ai tregoi se ishte bërë fjalëmirë për miqësinë mes dy familjeve pasi me të dyja kishte marrëdhënie familjare.

Ai tha se prej nënës së Valbonës, Lules, dhe vëllait, Kujtimit, kishte kuptuar që çifti Ndrecaj kishte probleme, por se as sot e kësaj dite nuk e di arsyen e saktë të vrasjes.

“Kam shku në familjen e Valbonës me bisedu, kam tentuar që ta bindi të kthehej por ajo nuk ka dashtë dhe më ka thënë: Kurr sytë për këtë punë mos t’i pafsha”, deklaroi dëshmitari Ndue Mehmeti.

Dëshmitari tregoi edhe fjalët e fundit që ia kishte thënë tashmë të ndjerës.

“A mos ke ndonjë gabim ndaj Pjetrit apo Pjetri ndaj teje e po ja zbuloni njani- tjetrit, e keni frikë me jetu bashkë?, tha dëshmitari ta ketë pyetur Valbona Ndrecajn.

“Asnjani s’kemi asnjë gabim moral, por jam ftofë prej Pjetrit prej dhunës, s’po du ma”, tha dëshmitari t’i jetë përgjigjur Valbona Ndrecaj.

Ndue Mehmeti tha se rrugës duke e dorëzuar Pjetrin në Polici, ai i kishte thënë që qëllimi i tij kishte qenë ta vrasë Shkëlzenin, por e kishte vrarë Valbonën.

“Kur Pjetri ka ardhë te shtëpia ime nuk ka pasur armë në dorë. Ai më ka thënë se cak e kishte Xenin (Shkëlzenin), por që e kishte vra Valbonën duke u lutur që mos ta ketë vra ndonjë fëmijë aty në shtëpi”, tha dëshmitari.

Ndue Mehmeti tha se me familjen Marku tashmë janë distancuar, si shkak i largimit të tyre.

Më pas, Shkëlzen Marku, vëllai i tani të ndjerës Valbona Ndrecaj tregoi se martesa mes saj dhe dhëndrit Pjetër Ndrecaj, nuk ishte bërë me vullnetin e plotë të motrës së tij, si shkak i presionit familjar dhe kushteve të vështira.

Ai tha se kohë pas kohe mbesat e tij tregonin që kishte dhunë në familje, por që motra e tij në fillim i kishte mohuar.

“Pjetri është ankuar në shumë njerëz të familjes kinse e kemi larguar Valbonën prej tij, por kur kemi kuptuar që 16 vite ka ushtruar dhunë në familje, kemi kërkuar që të bisedojmë e të sqarohemi dhe jemi ndarë në mënyrë paqësore”, deklaroi Shkëlzen Marku.

Para se ai dhe vëllai i tij, Kujtimi, të kuptonin për dhunën, Shkëlzeni tha se i akuzuari Pjetër Ndrecaj e kishte lënë një plumb në tavolinë te shtëpia e tyre, kinse ai plumb i kishte mbetur në xhep pasi ai mbante armë, ndërsa Valbonës i kishte thënë që plumbin jua kam lënë si paralajmërim.

Dëshmitari Shkëlzen Marku tregoi se disa herë kishte tentuar të bisedojë me Pjetrin me telefon nga Gjermania, por që ai nuk e kishte hapur dhe se motrës së tij ia kishte ndaluar të kontaktonte me familjen e saj.

Shkëlzen Marku tregoi se kishte incizime të bisedave nga takimi me Pjetrin.

“Kur kanë ardhë burrat me Pjetrin nuk kanë qenë në dijeni për dhunën, por burrat kanë thanë që kanë ardhë me bo mirë, për me marrë Valbonën me e kthy në familje”, tha dëshmitari.

Tutje, Shkëlzen Marku tha se kishte qenë i kërcënuar nga Pjetri me fjalët: “M’ke borxh. Je tu e mbajt Valbonën n’shpi”. Dhe se ai si vëlla i kishte thënë Pjetrit: “Pse të kam borxh. Femra nuk është objekt, është njeri. S’du me përdor dhunë ndaj motrës sime”.

Ai tha se motra e tij Valbona nuk dëshironte të kthehej te Pjetri dhe se ai e kishte kërcënuar me fjalët: “Vjen puna e kthehesh. Ka me ardhë puna që vllaznit e tu s’kanë me pasë ftyrë me të varros, se ta mys ni maxhup e ta qes n’shtrat”.

Shkëlzen Marku tregoi se e kishin paraqitur rastin në Polici, pasi që i akuzuari vazhdimisht i dërgonte mesazhe kërcënuese në telefon motrës së tij.

“Vajza e madhe e Valbonës, që ishte në shtëpi te Pjetri, i kishte thënë nënës së vet: “Këqyr se diçka nuk është në rregull me babin, se i ka fshirë mesazhet në telefon dhe portofolin e telefonin e ka lënë në shtëpi”, tregoi Shkëlzen Marku.

Ai tha se askujt nuk i shkonte në mendje se Pjetër Ndrecaj do vinte me armë në shtëpi pasi që aty i kishte edhe tri vajzat e tij.

Dëshmitari tha se natën kritike i kishte çuar duart lartë dhe i kishte thënë Pjetër Ndrecajt: ”Mos gjuaj në fëmijë!”.

“Atë natë e kam kapë njërën prej vajzave sepse Pjetri ka qenë duke gjuajtur në pjesën ku ka qenë komplet familja tu ngrënë darkë. Pjetrit ose i është bllokuar arma ose i janë harxhuar fishekët sepse kur u ndal duke gjuajtur dhe atëherë e kam vërejtur vajzën, K., mbi Valbonën të shtrirë në tokë”, deklaroi Shkëlzen Marku.

Tutje, ai tregoi se atë natë të vrasjes, bashkë me vëllanë e tij, Kujtimin, kishin dalë duke vrapuar pas të akuzuarit Pjetër Ndrecaj.

“Te dera e oborrit Pjetri ka gjuajtur në drejtim tonin dhe unë e kam gjuajtur vëllanë përtoke për mos me e kap plumbat”, tha Shkëlzen Marku.

Sipas dëshmitarit, atë natë Pjetër Ndrecaj ka qenë me një person tjetër, të cilit duke vrapuar i kishte thënë: “Ik, ik shpejt!”, porse atë person nuk kishin arritur ta identifikonin për shkak të errësirës.

Dëshmitari Shkëlzen Marku tha se atë natë fëmijët kur kishin parë Valbonën dhe vajzën e saj në tokë ishin tmerruar, duke bërtitur e qarë dhe se në veturë të Policisë kishte hyrë me dhunë për t’i  dërguar në spital.

“Pasi Valbona nuk kishte as pulsin, ju kam lutur Zotit atë natë që të paktën vajza të shpëtojë”, deklaroi vëllai i Valbona Ndrecajt.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Pjetër Ndrecaj, avokatit Ndrec Dodaj se a e keni këshilluar ju si familje Valbonën që të shkojë ose mos shkojë të burri, dëshmitari tha se nëna e ka këshilluar që ta paraqet rastin në Polici më herët, por Valbona i kishte thënë që Pjetri ka njerëz në Polici dhe kur ka shkuar në Polici policët i kishin thënë: “Është burri yt, kthehu te burri”, u përgjigj dëshmitari.

Më pas dëshmoi Pjetër Lekaj, i cili tha se nuk kishte qenë në dijeni se çifti Ndrecaj kishte pasur mosmarrëveshje.

Ai tregoi se atë natë kishin shkuar që ta rregullonin punën mes çiftit, por që sipas tij “s’ishte kësmet”.

Edhe dëshmitari tjetër Prek Ndrecaj, vëllai i Pjetër Ndrecajt, tha që me disa burra të tjerë të familjes kishin shkuar për të biseduar në familjen e Valbonës, por që nuk ishin dakorduar.

Prek Ndrecaj tregoi se vëllai i tij kishte thirrur në telefon dhe i kishte thënë që e kishte vra Valbonën.

Ai tha se 6-7 herë para vrasjes kishte shkuar në familjen e Valbonës për t’i lutur që të kthehet.

Prek Ndrecaj tha se vëllai i tij, Pjetri, pak para luftës kishte qenë në burg në Serbi dhe se rregullisht shkonte te mjeku në kontrolle shëndetësore.

Dëshmitari tjetër Arbnor Mehmeti tregoi se babai i tij Ndue Mehmeti kishte qenë mesit për martesën e çiftit Ndrecaj.

“Natën kritike kam qenë me babanë në ballkon dhe ka ardhë Pjetri i gjakosur në fytyrë, ka thënë që e ka vra Valbonën sepse sipas tij nuk kishte zgjidhje tjetër”, deklaroi dëshmitari Arbnor Mehmeti.

Mehmeti tha se babai i tij e kishte dorëzuar Pjetrin në Polici.

Ndërkaq trupi gjykues me kryetar Gëzim Pozhegu dhe anëtarët Mizair Shabani dhe Ilir Rashkaj caktuan datat 14 dhe 18 shkurt për seancat e radhës.

Në këtë rast gjyqësor, kishte dëshmuar edhe vëllai tjetër i të ndjerës Valbona Ndrecaj, Kujtim Marku.

Pjetër Ndrecaj mohon akuzën për vrasjen e gruas dhe të vajzës

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

(VIDEO)Pjetër Ndrecaj me antiplumb e zinxhirë në gjykatë

Një seancë nuk ishte mbajtur me kërkesë të Prokurorisë.

Prokurori kërkon shtyrjen e seancës ndaj Pjetër Ndrecajt

Në një seancë të mbajtur në muajin tetor, ishte kërkuar raport psikiatrik për të akuzuarin.

Kërkohet raport psikiatrik për Pjetër Ndrecajn

Në seancën fillestare, Pjetër Ndrecaj nuk e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij.

Ndrecaj nuk e pranoi fajësinë për vrasjen e gruas dhe vajzës – VIDEO

Ai ishte sjellë në Gjykatë i lidhur më zinxhirë.

Pjetër Ndrecaj sillet në Gjykatë i lidhur në duar e këmbë me zinxhirë – VIDEO

Për këtë rast ishte kërkuar përjashtimi i gjykatës dhe prokurorisë.

Pjetër Ndrecaj, përfundimisht do të rigjykohet në Gjykatën e Gjakovës

Ndrecaj sillet në Gjykatë i lidhur me zinxhirë në duar dhe këmbë

Pjetër Ndrecaj, ishte gjykuar e dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Ai gjendet në paraburgim nga data 7 gusht 2018.

KALLXO.com kishte raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Kolegji i Gjykatës Supreme kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.

https://kallxo.com/kthehet-nga-fillimi-gjykimi-i-pjeter-ndrecajt/

Bëhet e ditur tashmë se ishte djegur shtëpia ku jetonte familja e Valbona Ndrecajt.

https://kallxo.com/shtepia-e-djegur-e-valbona-ndrecaj-foto/

Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit të kaluar ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj.

https://kallxo.com/tragjedia-ne-gjakove-denim-me-24-vite-burgim/

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e shtatë gushtit 2018.