Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Apeli Vërteton Dënimin e Instruktorit për Marrje Ryshfeti

Gjykata e Apelit ia vërtetoi Pjetër Boqit, instruktorit të një autoshkolle dënimin prej shtatë muajsh burg për marrje ryshfeti.

Kolegji prej tre gjyqtarësh i refuzoi si të pabazuara ankesat e prokurorisë dhe mbrojtjes së Boqit ndaj dënimit të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prizren më 7 dhjetor 2016.

“Apeli gjeti se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar drejt gjendjen faktike, nuk ka bërë shkeljeje të dispozitave të procedurës penale si dhe ka aplikuar mirë ligjin penal”, thuhet në komunikatën e Apelit.

KALLXO.com shkroi për çështjen e Boqit, kur ajo u dërgua në Apel më 16 shtator.

Aktakuza ngarkonte Boqin se gjatë periudhës kohore shkurt- prill të vitit 2011 në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar- instruktor në Autoshkollën “Geni” ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimt të kundërligjshëm të dobisë pasurore.

Më tej në aktakuzë thuhej se Boqi ka kërkuar dhe marrë para për vete nga kandidatët të cilët i janë nënshtruar marrjes së patentë- shoferit, duke u premtuar se dhënien e testeve e kanë të siguruar.

Aktakuza konstatonte se në vitin 2011 Boqi ka marrë shuma parash nga 350 deri në 650 euro për kalimin e testit të autoshkollës nga kandidatët, ndërsa në një rast për dy kandidatë për patentë-shofer ai sipas aktakuzës kishte marrë 850 euro.

Në Gjykatën e Apelit, para se ajo të vendoste në lidhje me dënimin nga themelorja, Boqi kishte kontestuar që është person zyrtar.