Pushime të shumta nga puna edhe në kompaninë Ericsson

Prodhuesi suedez i pajisjeve të telekomunikacionit Ericsson planifikon t’i pushojë nga puna 8500 punonjës në mbarë botën për të’i ulur kostot.

Në dhjetor, kompania suedeze parashikoi se tregu i pajisjeve për rrjetet celulare të gjeneratës së re 5G do të rritet me 11 për qind çdo vit deri në fund të vitit 2025, ndërsa tregu në tërësi do të ngecë.

Megjithatë, ata paralajmëruan për shenja dobësie në disa tregje.

“Disa nga klientët tanë, si ata në Amerikën e Veriut, po parashikojnë investime më të vogla kapitale, pas ndërtimit shumë të shpejtë (të rrjetit) në fillim të vitit 2022”, ka deklaruar Shefi Ekzekutiv Borje Ekholm në takimin me investitorët.

Shumë kompani të telekomunikacionit grumbulluan pajisje në kulmin e pandemisë, kështu që porositë janë ngadalësuar. Kështu, kompania amerikane ‘Verizon’ planifikon të shpenzojë mes 18.25 dhe 19.25 miliardë dollarë këtë vit, krahasuar me 23 miliardë dollarë të vitit të kaluar.

Kjo është arsyeja pse Ericsson planifikon t’i zvogëlojë kostot me rreth nëntë miliardë korona (880 milionë dollarë) në vit deri në fund të vitit 2023, thanë ata në mes të dhjetorit.

Në fillim të javës së kaluar, kompania njoftoi se planifikon t’i pushojë nga puna rreth 1,400 punëtorë në Suedi, vendlindjen e kompanisë Ericsson.

Ata i informuan punëtorët të premten e kaluar se do t’i pushojnë nga puna 8,500 punëtorë në degët në mbarë botën, raportoi Reuters, duke cituar një njoftim të menaxhimit që kishte parë.

Zbatimi i zvogëlimit (planit) do të ndryshojë nga vendi në vend, në varësi të praktikës. Në disa vende, numri i punonjësve është zvogëluar tashmë këtë javë, ka deklaruar ditë më parë Shefi i Ekzekutiv i kompanisë Borje Ekholm.

Ericsson njoftoi kështu valën më të madhe të pushimeve nga puna në sektorin e telekomunikacionit, pas pushimeve masive nga puna në gjigantët e teknologjisë si Microsoft, Meta dhe Alphabet, të cilët tashmë kanë pushuar mijëra punonjës për shkak të ngadalësimit të ekonomisë, kujton Reuters./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala