Flamuri i Maqedonisë - Foto: REL/MIA

Qytetarët në Maqedoninë e Veriut thonë se nuk kanë para për pushime

Heqja e kufizimeve nga COVID-19, ka shtuar numrin e turistëve në Maqedoninë e Veriut.

“Interesimi për këtë vit është mjaft i madh. Një e mirë për ne është që prenotimet bëhen shumë më herët dhe diku 2 muaj jemi në avantazh me plotësimin e avionëve dhe hoteleve që i kemi”, tha Veton Grubi, Operator Turistik.

Por për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pushimet e verës nuk janë në planin e tyre. Shumë prej tyre thonë se nuk arrijnë të përballojnë një shpenzim të tillë.

“Nuk do të shkojmë këtë vit me pushime, sepse nuk kemi para”, tha një grua.

Operatorët turistikë thonë se ka një rritje të çmimeve të paketave turistike. Kjo për shkak të shumë produkteve si dhe rritja e karburantit.

“Në bazë të situatës me luftën në Ukrainë, çmimet do duhej të ulen, po me rritjen e çmimeve globale të naftës, kerozinës, pasi ne i aranzhojmë këto paketa turistike me avionë, ka pak rritje, por përsëri janë të përballueshme për xhepin e klientëve tanë”, u shpreh Veton Grubi.

Edhe qytetarët pranojnë se krahasuar me një vit më parë, ka një rritje të konsiderueshme.

“Patjetër se e kemi ndje krizën por kishte edhe rritje të çmimit të pushimeve. Po i kontrolloja dhe diku 20, 30 për qind çmimet janë më larta se vjet dhe parvjet. Kuptohet se lufta e gjithçka tjetër ka ndikuar dhe çdokush e ka ndjerë këtë në buxhetin familjar”, tha një qytetar.

“Unë shkoj çdo vit në pushim. Sigurisht se ka shumë dallim edhe në aspekt psikologjik edhe financiar. Ndoshta jo për gjithsecilin por ka. Unë kam qenë në 43 shtet deri tani por do të shkoj në Turqi. Miqtë e mi shkojnë në Shqipëri”, u shpreh një tjetër.

Operatorët turistikë, thonë se duhet një organizim më i mirë, për të tërhequr sa më shumë turistë nga Maqedonia e Veriut për në Shqipëri, si mënyrë për të gjallëruar të dyja ekonomitë në prag të sezonit veror./Euronews