(VIDEO) Kosova e gatshme për Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla

Kombëtarja e Kosovës A në basketboll është grumbulluar për herë të parë për FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla.

Kjo është hera e parë që Kombëtarja A e femrave do të merr pjesë në gara zyrtare të FIBA-s, më saktësisht në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla që do të mbahet në Nicosia të Qipros prej 20 deri më 25 korrik 2021.

Kosova është në Grupin B së bashku me Qipron dhe Luksemburgun, kurse në Grupin A janë: Norvegjia, Irlanda, Malta dhe Andorra.

Dardanet fazën intensive të përgatitjeve e kanë nisur më 20 qershor duke u stërvitur dy herë në ditë dhe do ta vazhdojnë deri më 18 korrik nën drejtimin e trajnerit Fidan Shatri.

Përzgjedhësi i Kosovës A, Fidan Shatri, ka thënë për KALLXO.com se është ndjenjë e mirë për të që e udhëheqë Kosovën, por në të njëjtën kohë edhe përgjegjësi e madhe.

“Normal që është ndjenjë e mirë, çdo punë që ta bësh me përkushtim, ta përfaqësosh shtetin është ndjenjë e mirë, sa është ndjenjë e mirë, më shumë është përgjegjësi, pasi ta marrësh drejtimin e përfaqësueses është përgjegjësi e madhe. Është hera e parë edhe kanë kalu shumë gjenerata edhe nuk e kanë pasur këtë mundësi që e kanë tani këto lojtare. Prej vitit 2000 të vetmet janë Arbnore Përquki edhe Valbona Bytyqi, që e kanë përcjellë rrugën e nuk janë ndalur dhe sot janë pjesë e Kosovës”, thotë trajneri i Kosovës A te vajzat, Fidan Shatri.

Ai ka treguar për KALLXO.com, se do të përgatitin për një muaj për ndeshjet ndaj Qipros dhe Luksemburgut në mënyrë që të jenë në formë të mirë për këto dy përballje.

“Në bazë të planit që e kemi bërë po, është 30 ditë para kampionatit, kështu që liga ka përfunduar dhe lojtarët mos t’i lejmë pasive. Përgatitja bazë e basketbollisteve nuk është në nivelin e duhur, por jemi duke punuar sa më shumë që ta rrisim nivelin e përgatitjes dhe nivelin tekniko – taktik dhe është duke shkuar gjithçka në bazë të planit. Ajo që është e mira është dëshira të cilën e kanë lojtarët për ta përfaqësuar vendin e vet”, ka thënë Shatri.

Ai ka treguar se Kosovën e presin dy ndeshje të forta ndaj Qipros dhe Luksemburgut. Shatri ka thënë se nuk do të jetë e lehtë për vashat e Kosovës për këto dy ndeshje.

“Realisht të them të drejtën jemi në grup me dy përfaqësueset më të forta në këtë kampionat. Është hera e parë që marrim pjesë dhe shorti ka dashtë që të jemi me këto dy përfaqësuese. Luksemburgu ka lojtare. Shumica e lojtareve luajnë jashtë, sidomos në ligat amerikane, janë katër lojtare që janë pjesë e atyre ligave, bëhet fjale për një përfaqësuese të fortë. Gjithashtu edhe Qipro në vitet e fundit i ka kushtuar rëndësi gjeneratave të reja. Nuk do të jetë e lehtë, por ne do të punojmë në atë drejtim që të paraqitemi sa më mirë dhe besoj që edhe rezultatet nuk do të mungojnë”, përfundon trajneri i vashave kosovare.

Kapitenia e Kosovës, Arbnore Përquku, pas 21 viteve karrierë, është ftuar për herë të parë nga Kosova A. Ajo tregon për emocionet e kësaj ndeshjeje.

“Është hera e parë pas 21 viteve që po marrim pjesë si kombëtare, është shumë ndjenjë e veçantë, është privilegj shumë i madh edhe normal përgjegjësi shumë e madhe. Por duke u përgatit shumë mirë, po shpresoj me këtë përgatitje edhe normal që shkojmë me fitu tani çka na ndodh prej rrugëtimit, varet krejt prej neve”, ka thënë Përquku për KALLXO.com.

Ajo ka thënë se atmosfera është e mirë te Kosova dhe janë duke u përgatitur me synime të qarta për këtë ndeshje.

“Atmosfera është shumë e mirë, i kemi filluar që një javë përgatitjet intensive, dy herë në ditë, po shkojmë mjaftë mirë. Dihet që fillimi është lodhje mjaftë e madhe, por po mundohemi me e kalu lodhjen me synimet që i kemi”, ka thënë 33 vjeçarja Arbnorea Përquku.

Basketbollistja Valbona Bytyqi është e emocionuar me ftesën e Kosovës për herë të parë pas më shumë se 16 viteve karrierë. Ajo thotë se po e shijon këtë gjë çdo ditë në stërvitjet me bashkëlojtaret e saj.

“Me të vërtetë është ndjenjë e mirë, është hera e parë, unë nuk kam mbërri asnjëherë të jem më një përfaqësuese, as U16 e as U18 ose U20. Është një ndenjë që nuk përshkruhet. Çdo ditë po e përjetoj, atmosfera është shumë e mirë. Thjeshtë e kemi pritë me vite këtë ditë, për arsye se shumë gjenerata kanë kaluar, asnjëherë nuk kanë pasur mundësinë ta përfaqësojnë shtetin, domethënë jemi veç unë edhe Arbnorea prej gjeneratës së pas luftës, tani edhe gjeneratat e reja po kanë mundësinë të përfaqësojnë edhe në kategoritë e reja”, thotë Valbona Bytyqi.

Kampionia e Kosovës me Penzën e Pejës, ka besim të madh te bashkëlojtaret e saj për ndeshjet ndaj Qipros dhe Luksemburgut.

“Mendoj që është duke u bërë një punë shumë profesionale, një përkrahje tejet e madhe. Një shtab shumë i mirë duke ia nis prej trajnerit, ndihmësëve. Nuk do ta në mungojë suksesi edhe pse është hera e parë, ende nuk kemi njohuri, ende nuk kemi luajtur asnjë ndeshje miqësore që t’i shohim, apo ta dimë se me çfarë kundërshtar kem të bëjmë. Kemi bërë një punë shumë të mirë edhe atje kur të shkojmë kam besim në secilën lojtare bashkë me shtabin”, thotë Valbona Bytyqi kampione e Kosovës me Penzën e Pejës.

Era Shatri e quan moment historik grumbullimin e Kosovës A në basketboll te vajzat. Ajo pret që të kenë ecuri të mirë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla.

“Ky është një moment historik për të gjithë neve, pasi për një kohë të gjatë e kemi pritë këtë grumbullim edhe këtë aktivitet që po mbahet për herë të parë për Kombëtaren e vajzave A, jemi shumë të movituara, jemi duke punuar fortë dy herë në ditë, stërvitjet janë duke shkuar shumë mirë me intensitet të lartë edhe po presim që kanë me shku shumë mirë edhe ndeshjet atje”, thotë Era Shatri.

Ajo thotë se nuk e kanë të lehtë ndaj dy Qipros dhe Luksemburgut, por do ta japin maksimumin që t’i sjellin Kosovës fitore.

“Grupin nuk e kemi të lehtë, do të kemi ndeshje të forta, sidomos me Luksembugrun. Kanë gjatësi, mirëpo normal asnjëherë nuk ka hapësirë me u dëshpëru. Po japim maksimumin tonë duke u përgatitë çdo detaj që mundemi dhe kemi me i shfrytëzu armët tona që i kemi”.