Vashat e Kosovës të gatshme për debutim

Kombëtarja e Kosovës A në basketboll në kategorinë e vajzave është e gatshme për ta bërë debutimin historik në Kampionatin Europian për Shtete të Vogla, që do të mbahet në Qipro nga 20 deri më 25 korrik.

Kosova filloi përgatitjet më 20 qershor, duke intensifikuar stërvitjet për të qenë sa më të gatshëm për debutim.

Ekipi i Kosovës është i kombinuar me basketbolliste me përvojë dhe të reja. Kapitene është Arbnore Përquku, kampione e shumëfishtë e Kosovës, kurse lojtarja më e re është Astera Tuhina me 16 vjet, e cila luan në Spanjë.

Vashat e Kosovës janë akomoduar në Qipro, ku sot do të zhvillojnë stërvitjen e parë.

Kosova ndeshjen e parë do ta ketë ndaj Qipros të martën (nesër) nga ora 18:00, ndërsa të mërkurën zhvillojnë sfidën e dytë ndaj Luksemburgut nga ora 18:00. Dy skuadrat e para të grupit kalojnë në gjysmëfinale.

Në grupin tjetër bëjnë pjesë Irlanda, Andorra dhe Malta.

Synimi i Kosovës është për paraqitje të mira në debutimin e garave evropiane.

Ndeshjet do të transmetohen në YouTube dhe faqen zyrtare të FBK-së në Facebook.