Alain Giresse, trajneri i kombëtares së Kosovës në Futboll | Foto: KALLXO.com

Alain Giresse trajner deri në 2023, nuk bëhet publike paga e tij

Federata e Futbollit të Kosovës ka caktuar sot Alain Giresse trajner të kombëtares së Kosovës në futboll deri në nëntor të 2023.

Giresse ka treguar se ditëve në vazhdim do të punojnë në gjetjen e stafit.

“Do të vendosim për stafin e Kombëtares. Unë si trajneri i Kombëtares së Kosovës do të kem kontratë deri në muajin nëntor të vitit 2023” ka thënë Giresse.

Kryetari i FFK-së dhe trajneri Giresse kanë refuzuar të përgjigjen në pyetjen rreth shumës se sa do të paguhet trajneri i ri i Kosovës.

“Kjo është pyetje klasike, dhe përgjigja është klasike”, ka thënë shkurt trajneri i ri i Kosovës Alain Giresse.

Po ashtu në konferencë për media Giresse ka folur edhe për potencialin e Kombëtares së Kosovës.

“Do të zhvillojmë potencialin ekzistues. Do të kërkojmë të kemi përformancë të mirë në çdo takim. Çdo lojë duhet të merret në konsideratë. Çdo lojtar që do të jetë pjesë e seleksionit duhet të ketë ambicien e njëjtë”, ka thënë Giresse.

Girrese ka folur edhe për Ligën e Kombeve që nis në muajin qershor.

“Në Ligën e Kombeve nuk mund të dimë a jemi favoritë, loja bëhet në teren, ne duhet të japim maksimumin. Ne kemi shpresë që të arrijmë diçka të mirë. Unë dëshirojë të krijojë një ekip që lufton për çdo lojë, të krijojë një ekip kolektivë” është shprehur francezi.

Sipas Giresse elementi kryesor i Kombëtares është që të mos ketë komplekse në arritjen e rezultateve.

“Do ta formojmë një ekip që të kemi rezultate ma të mira. Duhet të kemi një bazë të ekipit, elementi kryesor është që të mos të kemi komplekse që të arrijmë rezultate”, është shprehur trajneri francez.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka refuzuar të tregojë emrat e pesë kandidatëve që kanë qenë në garë e ngushtë për trajnerin e Kosovës.

KALLXO.com ka pyetur Kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës për pesë emrat e kandidatëve që kane qenë në listën e ngushtë por Ademi ka refuzuar të jap emra.

“Ka pasur pesë kandidatë në rrethin e ngushtë, nuk dua të jap emra për shkak të korrektësisë, këta emra janë përfolur në media” ka thënë Ademi..

Sfidat e para për francezin do të jenë dy ndeshjet miqësore që Kosova do ti zhvillojë në muajin mars përball Zvicrës dhe Burkina Faso.

Alain Giresse është trajner i ri i Kosovës në futboll