Kosova luan me Maltën e Guinenë, jo me Kazakistanin e Komorosin

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se janë ndërruar dy prej katër miqësoreve të qershorit për Kombëtaren e Kosovës A në futboll në kategorinë e djemve.

Në vend të Kazakistanit, Kosova më 4 qershor do të luajë ndaj Maltës në Austri. Kurse, në vend të Komorist, Kosova do të luajë në Antalia të Turqisë me Guinenë.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se për shkak që Qeveria e Kazakistanit nuk e ka lejuar Kombëtaren e këtij vendi të udhëtojë në Kosovë, ndeshja miqësore e paraparë për t’u zhvilluar më 4 qershor në Prishtinë, Kosovë – Kazakistan është anuluar, derisa në këtë datë ‘Dardanët’ do të luajnë miqësore me Maltën në Austri. Ndërkohë, miqësorja tjetër e paraparë për t’u zhvilluar në Antalia më 8 qershor kundër Komorosit, do të zëvendësohet me Guinenë, pasi Komorosi për shkak të restrikcioneve për hyrje në Turqi si pasojë e Covid-19, e ka të pamundur të udhëtojë në këtë datë në Antalia”, thuhet në njoftim.

Me Maltën, trajneri Bernard Challandes do të luajë me ekipin A, kurse me Guinenë do të luajë me lojtarë të ri të Kosovës.

“Të rikujtojmë se ‘Dardanët’ gjatë muajit qershor do t’i zhvillojnë katër miqësore. Fillimisht më 1 qershor do të përballen me San Marinon në ‘Fadil Vokrri’, e më pas do të udhëtojnë në Austri për t’u përballur me Maltën (më 4 qershor), derisa më pas do të udhëtojnë në Antalia, ku do të zhvillojnë miqësoret me Guinenë dhe Gambinë, më 8 përkatësisht 11 qershor”, vazhdon njoftimi i FFK-së.