Zyrtare: Kosova me përzgjedhës të ri, Franco Foda merr drejtimin e Dardanëve

Pas tre muajve pritje dhe shumë emrave të cilët janë diskutuar, Përfaqësuesja e Kosovës është bërë me trajner të ri.

Trajneri gjerman Franco Foda është emëruar zyrtarisht në krye të shtabit teknik të Dardanëve.

57-vjeçari ka një karrierë të pasur, pasi për rreth pesë vite ka drejtuar Kombëtaren A të Austrisë, ku ka drejtuar në 48 ndeshje dhe ka një mesatare prej 1,81 pikëve.

Ai ka qenë në tre periudha të ndryshme trajner i skuadrës së madhe austriake Sturm Gra, derisa si trajner ka udhëhequr edhe skuadrën gjermane Kaiserslautern dhe atë zvicerane Zurich.

Foda është prezantuar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i cili i ka uruar mirëseardhje dhe suksese në krye të Dardanëve trajnerit gjerman derisa trajneri gjerman ka nënshkruar kontratë dy vjeçare.

“Urime për trajnerin e ri. Uroj që siç është përputhur programi i tij me projektin tonë, të ketë edhe rezultate. Foda është trajneri i rezultateve. Ne këtë pjesë, duam rezultate sepse e kemi bërë zhvillimin tonë. Shpresojmë që Foda të jetë trajneri që do të ngelë në historinë e Kosovës, për ta kualifikuar në garat evropiane. Foda ka qenë në Kosovë para dy javësh. I ka parë kushtet dhe ka vendosur. Ka kontratë dyvjeçare. Në këto dy vjet, në këto garat e radhës, do të realizojmë programin e tij dhe kërkesat tona. Në futbollin tonë s’ka asgjë të sigurt, por ne po përpiqemi ta bëjmë punën sa më të mirë. Foda i ka duart e lira për të vendour, po vjen me ekipin e tij, nuk do të ketë asnjë ndërhyrje, por do ta ketë mbështetjen e Federatës”, ka thënë Ademi. /Telegrafi/