Kampioni i Evropës dikur që la shije të hidhur në Kosovë

Pak më shumë se një vjet zgjati aventura e ish kampionit të Evropës me Francën në 1984, Alain Giresse në krye të Kombëtares së Kosovës në futboll.

Suksesi i tij si futbollist, nuk ishte në paralele të njëjte me suksesin e tij si trajner te Kosova, pasi u shkarkua pas 15 ndeshjeve, në të cilat mori vetëm 3 fitore dhe shuajti gati se përfundimisht mundësinë për kualifikim në Evropianin e 2024.

Giresse u emërua trajner i ekipit të Kosovës me 23 shkurt të vitit 2022, ndërsa në prezantim Giresse premtonte se do të formonte një ekip që sjell rezultate të mira.

“Do ta formojmë një ekip që të kemi rezultate ma të mira” – deklaronte Giresse në konferencën e parë si kryetrajner i kombëtares së Kosovës.

“Elementi kryesor është që të mos të kemi komplekse që të arrijmë rezultate” – thoshte po ashtu Giresse.

Alain Giresse, trajneri i kombëtares së Kosovës në Futboll | Foto: KALLXO.com

Megjithatë, Giresse nuk arriti ta jetësonte premtimin e tij për rezultate.

Rrugëtimi i Giresse nisi me fitore, atë 5:0 ndaj Burkina Fasos në një miqësore më 24 mars të vitit të kaluar.

Tre ditë më pas, m 27 mars, Kosova luajti kundër Zvicër në një miqësore që përfundoi pa fitues, me rezultat 1 me 1.

Më pas, në kaudër të Ligës së Kombeve në grupin C, me 2 qershor 2022, Kosova fitoi me rezultat 0-2 kundër Qipros në udhëtim.

Tre ditë më pas, me 5 qershor, Kosova shënoi humbjen e parë në krye me Giresse, duke u mposhtur 0 me 1 në shtëpi kundër Greqisë.

Alain Giresse gjatë stërvitjes me kombëtaren e Kosovës | Foto: FFK

Kosova vazhdoi me humbje edhe në ndeshjen e radhës, pasi që edhe në ndeshjen tjetër kundër Greqisë, me 12 qershor, pësoi humbje 2-0 në udhëtim.

Humbjen e tretë radhazi Kosova e pësoi ndaj Irlandës Veriore, duke u mposhtur 2 me 1 në udhëtim, me 24 shtator 2022.

Aventurën në Ligën e Kombeve Kosova e përfundoi me fitore, pasi kishte mposhtur me rezultat 5 – 1 Qipron në ‘Fadil Vokrri’, me 27 shtator 2022.

Kosova nën udhëheqjen e Giresse kishte vazhduar edhe me dy barazime në dy ndeshje miqësore.

Fillimisht me 16 nëntor 2022 kishte barazuar 2-2 kundër Armenisë, kurse me 19 nëntor kishte barazuar 1-1 kundër Ishujve Faroe.

Alain Giresse gjatë stërvitjes me kombëtaren e Kosovës | Foto: FFK

Aventurën për kualifikime në Euro 2024 Kosova e kishte vazhduar prapë me barazime, tre të tilla radhazi.

Fillimisht me 25 mars 2023 kishte barazuar 1 – 1 në udhëtim kundër Izraelit, për të vazhduar me 28 mars po ashtu 1 -1 kundër Armenisë në shtëpi, si dhe 0-0 me 16 qershor kundër Rumanisë, po ashtu në shtëpi.

‘Kapaku’ i rezultateve të dobëta të Alain Giresse erdhi dje me 19 qershor, ku humbi në udhëtim ndaj Bjellorusisë, me rezultat 2 me 1.

Sot Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), njoftoi se me marrëveshje të dyanshme ka liruar nga detyra francezin.

Në 14 ndeshje zyrtare që Giresse udhëhoqi Kosovën, fitoi vetëm 3 prej tyre, barazoi 6 herë dhe humbi 5 ndeshje.

Alain Giresse gjatë stërvitjes me kombëtaren e Kosovës | Foto: FFK

Alain Giresse është trajneri i tretë i Kombëtares së Kosovës që nga pranimi i saj në UEFA dhe FIFA në 2016.

Aktualisht Kosova është në vendin e parafundit të Grupit I në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, me shumë pak shpresa për kualifikim.

Ndeshjen e radhës Dardanët e luajnë kundër Zvicrës në shtëpi, me 9 shtator 2023.