Foto: Facebook

VV: Shqetësuese rritja e numrit të vdekjeve në vendin e punës

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, tha se Vetëvendosja është e shqetësuar nga rritja e numrit të aksidenteve në punë, të cilat rezultojnë shpesh me fatalitet.  

Ajo e përmendi rastin e fundit të vdekjes së një punëtori ndërtimor 4 ditë më parë duke shtuar se një vdekje e tillë duhet të jetë shok për shoqërinë. 

“Çdo vdekje e punëtorit në vend të punës duhet ta vrasë ndërgjegjen e shoqërisë, por vdekja e një të mituri vërtetë mund të quhet tragjedi kombëtare”, tha ajo.

Nënkryetarja e partisë opozitare tha se ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këto vdekje.

“Një i ri që e ka pasur jetën të ardhmen përpara vetes e ka humbur jetën. Ne duhet ta dimë se a do të japë dikush përgjegjësi për të gjitha aksidentet në punë, për të gjitha vdekjet në punë”, tha Kollçaku.

Kollçaku tha se Ligji i Punës dhe ai për Siguri dhe Mbrojtje në Punë duhet të ndryshohen, ndërsa vuri theksin te mbikëqyrja e zbatimit të tyre.

“Çështja më urgjente është të ndryshohet-plotësohet ligji Ligji i Punës dhe Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë në veçanti kur kanë të bëjnë me monitorimin dhe zbatimin e vërtetë të këtyre ligjeve në praktikë”, deklaroi Kollçaku.  

Ajo theksoi se përgjegjës për vdekjet në punë është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Inspektorati i Punës dhe punëdhënësit ku ata punëtorë janë të punësuar.

“Detyra e punëdhënësit është t’i zbatojë dispozitat ligjore në fuqi, t’i parashohë rreziqet… T’ia sigurojë të gjitha pajisjet, uniformën dhe t’ia krijojë të gjitha kushtet në punë duke e paraparë vazhdimisht servisimin e aparaturave dhe krejt ato me të cilat punëtori ballafaqohet çdo ditë në vendin e punës”, tha nënkryetarja e VV.

Ndërsa, Kollçaku shtoi se Qeveria duhet ta mbikëqyrë zbatimin, ndërsa u shpreh se kapacitetet e inspektoratit të punës duhet të rriten për shkak se sipas saj, shumica e punëtorëve janë të angazhuar në sektorin privat, ku ajo tha se ndodhin shumica e shkeljeve të ligjeve të punës.