VV, Kallëzim Penal Ndaj Presidentit Thaçi për ‘Tradhti Ndaj Vendit’

Lëvizja Vetëvendosje tha sot se ka dorëzuar në prokurorinë Speciale një kallëzim penal ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke e akuzuar atë për “shkelje të rëndë” dhe “tradhti ndaj vendit” në çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, e konfirmoi këtë kallëzim penal duke folur para deputetëve në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, pak para se të fillojë seanca ku pritet të votohet marrëveshja për demarkacionin.

Ajo iu referua nenit 124 të Kodit Penal të Kosovës i cili e vë Presidentin në përgjegjësi në rast të shkeljes së sovranitetit të shtetit.

“Kemi deponuar në Prokurorinë Speciale kallëzimin penal kundër Hashim Thaçit për shkak të veprës penale ‘tradhti ndaj vendit’”, tha Haxhiu.

Ajo tha se kallëzimi penal lidhet me marrëveshjen e nënshkruar në cilësinë e Presidentit me homologun e tij malazez, Filip Vujanoviq, javën e kaluar.

“Ne presim që Prokuroria Speciale të nisë shumë shpejt hetimet ndaj të dyshuarit Hashim Thaçi… Prokuroria duhet ta hetojë ndërsa gjykata duhet ta vendosë përgjegjësinë penale të tij”, tha Haxhiu.