Vuçiq lë Kosovën, Qeveria Hesht

Në orët e pasdites kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është larguar nga territori i Kosovës përmes pikës kufitare në Bërnjak.

Vuçiq është larguar nga Kosova pas një fjalimi që ka mbajtur në Zubin Potok, ku ka propozuar krijimin e një mekanizmi të përbashkët për menaxhimin e liqenit të Ujmanit. “Qeveria e Serbisë ka propozuar që resurset e Gazivodës të udhëhiqen në mënyrë të përbashkët”, ka deklaruar ai.

Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, tha për KALLXO.com se Vuçiq ka kaluar kufirin pas orës 16:00.

“Vlerësimi i Policisë së Kosovës është se çdo gjë me vizitën ka shkuar në rregull dhe nuk kemi pasur asnjë incident të vetëm”, theksoi Hoti.

Kryeministri i Serbisë qëndroi në komunat veriore të vendit, të banuara me serbë, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet në Serbi. Ai mbajti fjalime në Leposaviq, në “Trepçë”, në manastirin e Banjskës,në spitalin e Mitrovicës, në liqenin e Ujmanit dhe Zubin Potok.

Edhe përkundër deklaratave të Vuçiqit për” Trepçën”, Asociacion, dialogun dhe çështje të tjera, Qeveria e Kosovës nuk ka pasur asnjë reagim.

Zëdhënësi i Qeverisë Arban Abrashi i ka thënë për KALLXO.com se qëndrimi i vetëm është ai i kryeministrit Mustafa në “Facebook”, në të cilin, sipas Abrashit, kryeministri i ka shkruar një qytetari me fjalët “ne jemi të zotët e Trepçës”.