Vizat e Panevojshme Mes Kosovës e Bosnjës

Fondacionet për shoqëri të hapur në Bosnjë e Kosovë diskutuan për gjetjen e mundësisë së lëvizjes pa viza mes dy shteteve.

Shkëmbimi rajonal, tejkalimi barrierave, heqja paragjykimeve duhet të jenë vetëm nismat e para në mes Kosovës dhe Bosnjës, u tha sot në ditën e dytë të diskutimeve të organizuara nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur i dy shteteve.

Darko Brkan, kryetar i Organizatës “Pse Jo” tha se liria e plotë e lëvizjes është minimumi që kërkojmë nga të dyja qeveritë.

“Nëse flasim për heqjen e regjimit [të vizave], të flasim për propozime konkrete se si të arrijmë deri te kjo. Dëshirojmë që kjo të dëgjohet brenda shoqërisë civile, ta dëgjojnë institucionet e kulturës, gazetarët por edhe biznesmenët dhe gjithë ata për të cilët kjo është me rëndësi,” tha Brkan.

Asja Makareviq nga Festivali Filmit në Sarajevë tha që numri i pjesëmarrësve kosovarë në këtë festival është tejet i vogël dhe arsyeja kryesore është problemi me vizat.

“Duke marrë parasysh se 70 pjesëmarrës i pranojmë nga 17 shtete, ne kemi pasur vetëm 11 pjesëmarrës nga Kosova, qe është numër i vogël, situata nuk është më e mirë as me Malin e Zi, dhe e gjithë kjo vjen nga çështje e vizave,” tha Makareviq.

“Fakti që ne nuk marrim pjesë në festivalin e Sarajevës i shkakton shumë dëme komunitetit tonë artistik, duke marrë parasysh se sa i pasur është programi dhe sa benefite mund të ketë që të mësojnë jo vetëm të rinjtë, por edhe profesionistët dhe në këtë aspekt mund të them që ne çalojmë shumë,” tha ajo.

Shkëlzen Maliqi, analist i pavarur tha se lëvizja jo e lirë mes në mes të këtyre dy vendeve i sjell vetëm dëme Bosnjës.

“Nga regjimi i vizave me Kosovën Bosnjë-Hercegovina nuk përfiton pothuajse asgjë, as politikisht as ekonomikisht, përkundrazi ka vetëm dëme. Këtë për dëmet më së miri e dinë bizneset e Bonjë-Hercegovinës edhe ato të Republikës Serbe që kanë tregtuar me Kosovën,” tha Maliqi.

Bosnja vendosi vizat ndaj Kosovës në vitin 2010, ndërsa katër vjet më vonë edhe Kosova vendosi regjim vizash ndaj qytetarëve të Bosnjës si masë reciprociteti.

Bosnja ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.