MPB: Që nga liberalizimi i vizave nuk janë raportuar raste të mosrespektimit të rregullave

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Blerim Gashani ka njoftuar se prej 1 janarit 2024 kur ka filluar lëvizja e lirë në shtetet e zonës Schengen e deri më tani, nuk janë raportuar raste të mosrespektimit të rregullave.

Ai ka thënë se institucionet kanë bërë përgatitjet e duhura për të menaxhuar këtë proces.

“Si institucione kemi bërë përgatitjet e duhura për të menaxhuar këtë proces, duke përfshirë informimin e qytetarëve tanë lidhur me të drejtat dhe obligimet që derivojnë nga kjo liri e lëvizjes. Në bazë të raporteve, të cilat i kam pranuar nga mekanizmat përgjegjës institucionalë deri më tani, çdo gjë është duke shkuar në suaza normale dhe nuk janë raportuar raste të mosrespektimit të rregullave”- ka thënë ai.

Në njoftim thuhet se MPB-ja ka mbajtur takimin e rregullt me Atashetë e Migrimit të ambasadave të huaja në Kosovë, me qëllim për të diskutuar trendët e përgjithshme të migrimit, me theks të veçantë lëvizjet migratore, si dhe monitorimin e procesit të lëvizjes së qytetarëve të Kosovës pas procesit të liberalizimit të vizave.

Gashani tutje ka thënë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, presin të miratojnë Ligjin e ri për të Huajt, si një ndër ligjet bazike që rregullon fushën e migracionit në Republikën e Kosovës.

“Në kuadër të këtij projektligji kemi përfshirë disa çështje me rëndësi, të cilat padyshim se do të avancojnë sistemin për menaxhimin e migrimit në vend. Fokus i veçantë i është kushtuar parimeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe direktivave të BE-së që kanë të bëjnë me trajtimin dhe kthimin e migrantëve me qëndrim të parregullt në territorin e Republikës së Kosovës”- ka thënë ai.

Po ashtu thuhet se në këtë takim u diskutuan për çështje të ndryshme për fushën e migrimit.

Ndërsa në takim kanë marrë pjesë përfaqësues të Policisë së Kosovës, zyrtarë të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, Atashe, si dhe organizata që mbështesin fushën e migrimit.

Qytetarët kosovarë nga data 1 janar kanë filluar të udhëtojnë në zonën Schengen pa viza.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh në shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Vendimi i BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar më 19 prill të vitit 2023, nga përfaqësuesit e Parlamentit Europian dhe ata të Këshillit të BE-së.