Komisioni i Parlamentit Europian i hap rrugë liberalizimit të vizave për poseduesit e pasaportave serbe në Kosovë

Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian miratoi më 09.04.2024 raportin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe (“Koordinaciona uprava”), e cila lëshon pasaporta për serbët e Kosovës.

Raporti i raportuesit Matjaz Nemec u miratua  me 34 vota për, 7 kundër dhe 12 abstenime.

Nemec ka deklaruar se ky vendim teknik nuk është një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por një zgjidhje pragmatike për të siguruar trajtim të barabartë.

“Zgjerimi i liberalizimit të vizave të BE-së për banorët serbë të Kosovës është i rëndësishëm për të parandaluar diskriminimin ndaj këtyre qytetarëve, të cilët rrezikojnë të trajtohen ndryshe nga banorët e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Ky vendim teknik nuk është një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por një zgjidhje pragmatike për të siguruar trajtim të barabartë. Shpresoj që ai të mund të miratohet shpejt përpara zgjedhjeve të BE-së të 6-9 qershorit”- ka thënë Nemec.

Qytetarët kosovarë nga data 01.01.2024 kanë filluar të udhëtojnë në zonën Schengen pa viza.

Në prill të vitit 2023 , Komisioni Europian kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës, dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Drejtorisë Koordinuese. Kjo drejtori  punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Pas tetë muajsh, Komisioni Europian, në propozimin e ri u tha se nuk ekziston asnjë arsye që serbët e Kosovës me këto pasaporta të mos mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave.

Në propozimin e 16.11.2023 të Komisionit Europian kërkohet ndryshimi i Rregullores së BE-së, në mënyrë që t’i mundësohet lëvizja e lirë edhe bartësve të pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Serbi. Arsyetimi i dhënë është “që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor duhet të përfitojnë nga udhëtimi pa viza”.

Aty është theksuar që përfshirja e mbajtësve të pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe është konsistente me përpjekjet e BE-së për të përshpejtuar integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Qeveria e Kosovës e pati vlerësuar këtë propozim si të gabuar, pasiqë pikërisht në atë momentum qe rritur numri i tyre për t’u pajisur me pasaporta të Kosovës. Të dhënat e përfolura nga krerët qeveritarë vënë në pah që kishte rritje rreth 29%  për aplikim për pasaportë të Kosovës nga serbët, në krahasim me vitin e kaluar.

Përderisa në propozimin e KE shkruan që një ndryshim i tillë është diskutuar me Serbinë dhe Kosovën, Qeveria e Kosovës mohon që të jenë informuar, konsultuar apo diskutuar për një propozim të tillë.

Marrëveshjet mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga BE që nga viti 2013 deri më 2023 njohin autoritetet e Kosovës si të vetmet legjitime që kanë të drejtën e lëshimit të pasaportave për qytetarët e vendit.

Viza me pasaportë ilegale trazon ujërat