Arrihet dakordimi me Izraelin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, me ç’rast kjo e fundit ka njoftuar se Qeveria izraelite ka shprehur pajtueshmërinë për miratimin e marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kjo u bë e ditur nga një komunikatë për media nga Presidenca e Kosovës.

“Në takim u diskutua për bashkëpunimin në mes të dy shteteve, si dhe për marrëveshjet ndërshtetërore në fusha të ndryshme të cilat pritet të nënshkruhen së shpejti. Ambasadorja Ziv e njoftoi Presidenten Osmani se pas kërkesës së Presidentes drejtuar institucioneve të Izraelit, qeveria e Izraelit ka shprehur pajtueshmërinë për miratimin e marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”- thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi.

Përmes kësaj marrëveshjeje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike.

Osmani ka falënderuar ambasadoren Ziv për këtë vendim, duke e quajtur zhvillim pozitiv i cili do t’i hapë rrugë bashkëpunimit më të thelluar mes dy vendeve.

“Tutje, me rastin e përvjetorit të Ditës së Kujtimit të viktimave të Holokaustit, Presidentja Osmani përsëriti se Kosova kujton miliona njerëz të pafajshëm të humbur në një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit, dhe se kjo ditë shërben si rikujtim për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja dhe paragjykimi”- theksohet në kumtesë.

Ambasadorja Ziv e informoi për situatën e sigurisë në Izrael, ndërsa presidentja Osmani e informoi ambasadoren për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.