Visar Ymeri: Nuk Do të Rrimë Duarkryq, Nuk Do të Ketë Qetësi

Vetëvendosje thotë se dy vendimet e sotme të marra nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë “tentim për grushtshtet ndaj vullnetit të qytetarëve” të komunës së Prishtinës dhe Prizrenit.

Kryetari i VV-së Visar Ymeri dhe dy kandidatët e kësaj partie për kryetarë të Prishtinës e Prizrenit, Shpend Ahmeti e Mytaher Haskuka, dolën në konferencë për shtyp për t’i sfiduar vendimet të cilat i dërgojnë rinumërim votat e këtyre komunave dhe ndalojnë numërimin e fleetëvotimeve me kusht, atye me postë dhe fletëvotimeve të personave më nevoja të veçanta.

Ahmeti e Haskuka janë në epërsi të ngushtë ndaj rivalëve të tyre nëpër komuna, Arban Abrashit të LDK-së dhe Shaqir Totajt të PDK-së.

Visar Ymeri u tregua i ashpër ndaj këtyre vendimeve.

“Dy vendime të marra sot janë të papranueshme, të jashtëligjshme dhe absurde; vendimi i KQZ-së për të mos i numëruar votat për Prizrenin dhe Prishtinën dhe vendimi i PZAP për rinumërim, tha ai.

“Me këto vendime po tentohet grushshteti ndaj vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Janë bërë bashkë kundër qytetarëve dhe VV nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që të anulohet vullneti i popullit. Nuk do të rrimë duarkryq dhe nuk do të ketë qetësi. U bëjmë thirrje vëzhguesve dhe ambasadave të reagojnë kundër këtij dhunimi të demokracisë dhe grushshtetit”, shtoi ai.

Ndërsa Ahmeti kërkoi nga KQZ ta vazhdojë numërimin e votave me kusht dhe me postë për komunën e Prishtinës e Prizrenit.

“Nuk ka logjikë ligjore që të bëhet rinumërimi pa u numëruar votat. Kërkojmë në mënyrë urgjente që KQZ ta bëjë numërimin e votave me kusht dhe me postë për komunën e Prishtinës”, tha ai.

I ashpër ndaj këtyre vendimeve ishte edhe Mytaher Haskuka.

“Të gjithë do të bashkohemi ta mbrojmë vullnetin e qytetarëve të Prizrenit dhe Prishtinës për atë që kanë votuar më 19 nëntor”, tha Haskuka.