Viktimat e Dhunimit të mos Trajtohen si Shifra Financiare
Organizatorët kishin të veshura bluza me mbishkrimin “Dëgjo Zërin Tim” përmes të cilave mundonin ta përçonin zërin e viktimave të dhunimit te qeveria.
Aktiviteti i sotëm u zhvillua dy ditë para 26 Qershorit-Ditës Ndërkombëtare Kundër Torturës.
Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitim e të Mbijetuarve të Torturës tha se pasojat e atyre që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës janë ende të patrajtuara seriozisht nga institucionet e vendit.
Ajo bëri thirrje që këto viktima të mos trajtohen si barrë financiare.
“Këto janë qenie njerëzore që kanë pësuar dhimbje të mëdha qoftë shpirtërore qoftë fizike dhe këto pasoja po i vuajnë edhe sot në lëkurën e tyre, prandaj nuk duhet trajtuar si shifra financiare, ato meritojnë të trajtohen si kategoritë e tjera që përfitojnë me legjislacionin në fuqi që është Ligji për Vlerat e Luftës,” tha Rushiti.
Ndërsa Jeta Krasniqi, ish-këshilltare politike e Atifete Jahjagës dhe përgjegjëse për koordinimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës, tha se sot po bëhet një formë e protestës për të nisur zbatimi i obligimeve që qeveria ka ndaj kësaj kategorie.
“Ato të arritura që janë bërë për dy vjet është mirë që sot me u vazhdu që institucionet me i zbatu ato obligime që i kanë marrë e veçanërisht sot gjëja që është më e rëndësishme është që të zbatohet njohja ligjore, pra ta krijohet komisioni i cili ka me u marrë me verifikimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës,“ tha Krasniqi.
Në vitin 2014 viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës iu bë vend në ligjin për kategoritë e dala nga lufta, por ende nuk ka nisur verifikimi i përjetuesve të kësaj dhune, në mënyrë që pastaj viktimat e tilla të kenë përfitim material për vuajtjet që pësuan.
Viktimat e këtij dhunimi në mars të këtij viti nisën aplikimin te ish-Presidentja Jahjaga për njohjen e statusit të tyre.
http://kallxo.com/aplikimet-e-para-te-viktimave-te-dhunimit/
Gjatë tubimit të sotëm pranë objektit të Qeverisë së Kosovës janë vendosur posterë me porosi për të mbijetuarit e dhunës seksuale si dhe porosi për zbatimin e ligjit.