Ish-presidentja Jahjaga kritikon mospërfshirjen e grave në dialogun Kosovë-Serbi

Atifete Jahjaga ish-presidente e Kosovës ka thënë se pavarësisht që ka shumë gra të dhunuara, asnjë grua nga Kosova sot nuk merr pjesë në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Deri sa flasim tani asnjë grua nuk merr pjesë në tavolinën e bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve”- tha Jahjaga.

Në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Jahjaga tha se Kosova është duke bërë përpjekje për barazi gjinore.

“Kosova has të njëjtën përpjekje për barazi gjinore, dhe përpjekja jonë ka qenë në kuadër të synimit kryesor për drejtësi, rruga jonë është shtruar nga shumë gjenerata para neve. Duhet të përkushtohemi për politikat e qëndrueshme dhe praktikat për përmirësim, përparimi jonë nuk duhet të ndalet dhe nuk duhet të kthehet mbrapa”- tha ajo.

Duke folur për progresin 22 vite pas Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Jahjaga tha që gratë javë duke luftuar vazhdimisht për të drejtat e tyre.

“Kemi bërë shumë progres, por kemi pasur edhe ngecje, 22 vite më pas shohim gra që arsimohen, që luftojnë për demokraci dhe që përfaqësojnë elektoratin e tyre. Gjatë kësaj kohe kemi parë gratë që janë bërë agjendë të ndryshimit që i kanë rrëzuar liderët totalitar, për të mbrojtur të drejtat e tyre. Ne po e luftojmë diskriminimin social që është duke quar prapa shoqërinë tonë, ne po luftojmë vendime që po bëhen për gratë pa pjesëmarrjen e tyre”- tha ajo.

Kersti Kaljulaid, ish presidente e Estonisë tha që situatat me COVID ka dëshmuar që bota ka dështuar në mbrojtje të të drejtave të grave.

“Ne duhet t`i mësojmë fëmijët tonë që vajzat nuk e kanë vendin në kuzhinë. COVID-i e ka shpalosur që kemi dështuar, vetëm gratë në pozita të rëndësishme mund të ndryshojnë këtë situatë, gratë mund të vinë në pozita udhëheqëse vetëm përmes përfshirjes aktive”- tha ajo.

Në Prishtinë sot dhe nesër do të mbahet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili organizohet  nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mbështetur nga EULEX-it.

Në kuadër do të zhvillohen 16 panele, në të cilat do të diskutohet çështje të ndryshme që lidhen me ndryshimin e arkitekturës së sigurisë, përfaqësimin e grave, të rinjtë dhe përballje e tyre me të kaluarën, rolin e parlamenteve, drejtësinë tranzicionale, rolin e medias dhe të shoqërisë civile, dhunën ndaj grave, ndryshimet klimatike dhe fuqizimi ekonomik i grave, gratë në sektorin e sigurisë dhe atë të teknologjisë informative, etj.