Ceremonitë e ndryshme të emërimit të dy komandantëve të FSK-së

Dorëheqja e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama, bëri që të martën të emërohet komandanti i ri i FSK-së, Bashkim Jashari nga ana e presidentes së Kosovës, njëherësh komandante supreme e FSK-së, Vjosa Osmani.

Por ceremonia e emërimit të tij dallon krejtësisht nga ajo paraprakja kur komandat i FSK-së ishte zgjedhur Rrahman Rama.

Rama ishte emëruar me ceremoni ushtarake në Kazermën e FSK-së në Prishtinë, ndërkaq Jashari është emëruar në një ceremoni në Presidencën e Kosovës.

Gjenerallejtënant Rrahman Rama ishte emëruar komandant i FSK-së në mars të vitit 2015 nga ish-presidentja Atifete Jahjaga. Ai e kishte zëvendësuar në detyrë Gjenerallejtënant Kadri Kastratin.

Grafika: Granit Mavriqi/ KALLXO.com

Më 2015-ën, ceremonia e ndërrimit të komandantit të FSK-së ishte mbajtur në Kazermën “Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore (KFT).

Në atë kohë në ceremoni morën pjesë: Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ministri i FSK-së, z. Haki Demolli, komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, zëvendëskomandanti i FSK-së gjeneralmajor Rrahman Rama, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Francesco Paolo Figliuolo, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Tracey Ann Jacobson, oficerë të FSK-së, të KFOR-it, ambasadorët dhe atashetë e akredituar në vendin tonë, ministra, deputet të Kosovës, personalitete politike, kulturore dhe familjarë të oficerëve.

Ceremonia e ndërrimit të komandantit të FSK-së, kishte filluar me inspektimin e kuadrateve të rreshtuara të FSK-së, nga ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe ish-Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati duke vazhduar me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës.

Ndërkaq, të martën më 30 nëntor, komandanti i ri i FSK-së, Bashkim Jashari u emërua në një ceremoni në Zyrën e Presidentes, Vjosa Osmani.

Në një komunikatë për media, Presidenca njoftoi për emërimit, duke ndarë edhe dy fotografi, ku pjesëmarrës shihen edhe kryeministri Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gervalla dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese. Emërimi është bërë siç parashihet në ligjin për FSK-në, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media të Presidencës.

“Para emërimit të komandantit të ri të FSK-së, Presidentja e Republikës së Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore, ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij”, vijon komunikata.

KALLXO ka pyetur në Presidencën e Kosovës, se pse nuk është organizuar ceremoni në FSK me rastin e emërimit të komandantit të ri, dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.