Adem Demaçi gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e pranimit të çmimit Saharov në vitin 1991

VIDEO: Deklarata e Demaçit gjatë pranimit të çmimit Saharov

Në vitin 1991, Adem Demaçi ishte nderuar me çmimin Saharov nga Parlamenti Europian.

Demaçi u shpërblye nga Parlamenti Europian për integritetin e tij në kundërshtimin ndaj ‘një regjimi autoritar dhe jotolerant’.

Demaçi pranoi çmimin si homazh ndaj popullit të Kosovës, duke deklaruar se liria e fjalës është hapi i parë, vendimtar drejt demokracisë.

“Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog nuk mund të vërtetohet e vërteta dhe pa të vërtetën përparimi është i pamundur. Në këto momente historike për Europën dhe shumë të vështira për Ballkanin duke më nderuar me çmimin Sakharov nuk më keni nderuar vetëm mua por edhe popullin tim të shumëvuajtur, paqedashës, liridashës dhe krenar”, ka deklaruar Demaçi derisa pranonte çmimit.

Në videon e mëposhtme mund të gjeni ceremoninë e ndarjes së çmimit Saharov në vitin 1991 për Adem Demaçin.

Në vitin 1958, Adem Demaçi ishte arrestuar nga qeveria e Josip Broz Titos dhe pas disa muajsh në hetuesi ishte nxjerrë para Gjykatës së Qarkut nën akuzën se ka bërë “propagandë armiqësore”.

Demaçi qëndroi tri vjet në burg dhe përsëri u burgos nga viti 1964-1974. Për herë të tretë Demaçi u burgos nga viti 1975-1990, kur edhe ai u lirua nga burgu pas zhvillimeve demokratike ne Jugosllavi.

Pas 15 vitesh në burg, me 21 prill 1990, Demaçi ishte liruar nga burgu në Kroaci ku po e vuante dënimin.

Për angazhimin e tij politik për çështjen e Kosovës, Adem Demaçi vuajti në total 28 vjet në burgjet e Jugosllavisë.

Ai është quajtur “Nelson Mandela” i Europës duke u krahasuar me Mandelën, i cili kishte vuajtur 27 vjet burg dhe po ashtu ishte laureat i çmimit Saharov për kontributin e tij kundër aparteidit në Afrikën e Jugut.

Në vitin 1995 Demaçi ishte nderuar me çmimin për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Oslos.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi në vitin 2010 e kishte dekoruar Adem Demaçin me urdhërin “Hero i Kosovës”.

Në vitin 2016, Demaçi ishte kandidat për të fituar edhe çmimin Nobel për paqe.

Adem Demaçi gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e pranimit të çmimit Saharov në vitin 1991

Adem Demaçi ka vdekur sot në moshën 82 vjeçare.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar kryesuesi i seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

“Jeta dhe vepra e tij do të lartësohet për aq kohë sa kombi shqiptar dhe shqiptarët do të kenë jetë. Lavdi jetës dhe veprës së Adem Demaçit”, ka thënë Haliti në Kuvend.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje për të nderuar jetën dhe veprën e tij.