Adem Demaçi
Nesër zbulohet shtatorja e Adem Demaçit në Podujevë
Shtatorja e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi do të zbulohet nesër në orën 13:00 në sheshin e qytetit të Podujevës.
Në këtë ceremoni do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Zyra e Kryeministrit ka ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkohen kësaj ngjarjeje.
Vlera e kësaj shtatoreje të bronztë është 59 mijë e 950 euro sipas tenderit të hapur nga Komuna e Podujevës.
Kujtojmë se Demaçi vdiq më 26 korrik të vitit 2018, në moshën 82-vjeçare.
Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e ish-Jugosllavisë dhe ka luftuar për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.
Për angazhimin e tij politik për çështjen e Kosovës, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë.
Ai është quajtur edhe “Nelson Mandela” i Europës.